Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, u ka bërë thirrje studentëve, të rinjve dhe prindërve të tyre që të distancohen nga aktet e dhunës, në protestat që kanë hyrë në ditën e shtatë.
E ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Kushi theksoi se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, por sipas saj, dhuna është e patolerueshme, veçanërisht kur përfshihen të mitur dhe adoleshentë, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithë protestuesve, të rinjve, studentëve, adoleshentëve, por edhe prindërve të tyre, të distancohen nga dhuna. Kanë të drejtë të protestojnë, të ngrenë zërin, por dhuna është e patolerueshme, për më tepër kur përdoren minorenët, adoleshentët, rrezikohet jeta e tyre. Po shohim dhunë ndaj institucioneve, forcave të policisë, individëve që janë kundër protestës, apo kanë zgjedhur të heshtin dhe të mos mbajnë asnjë qëndrim. Kërcenohen, bullizohen, që të dalin në protestë”. (A2 Televizion)