Gazetarja Kostana Morava e ka cilësuar krim përhapjen e mesazheve që nxisin idenë se revolucioni kërkon gjak dhe se fëmijët duhet të bien dëshmorë, të cilat sipas saj po përhapen në rrjetet sociale.
Deklarata u bë në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, ku u zhvillua një debat me gazetarin Poli Hoxha për dhunën gjatë protestave dhe përgjegjësinë e palëve.
Morava u bëri thirrje atyre që përhapin mesazhe të tilla në rrjetet sociale të reflektojnë, duke thënë se komente të ngjashme kanë mbërritur edhe në faqen e saj dhe në telefonat e fëmijëve.
Pas kësaj deklarate, gazetari Poli Hoxha u shpreh se i bashkohej thirrjes së Moravës, por i kërkoi asaj që t’i drejtonte një apel edhe kryeministrit Edi Rama për të ndalur dhunën policore ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
DEBATI
Kostana Morava: Të thuash dhe të përhapësh nëpër rrjetet sociale sloganin: Revolucionet janë bërë me fëmijë të vegjël që bien heronj, është krim, ky është gjenocid ndaj fëmijëve. Jo më larg se sa mbrëmë komente të tilla kanë ardhur edhe në faqen time, e di që u kanë shkuar edhe nëpër telefona të fëmijëve. Kështu që thërrituni mendjes. Të gjithë ata që propagandojnë se revolucioni s’vjen pa gjak dhe ka si dëshmorë fëmijë, t’i thërrasin mendjes!
Poli Hoxha: I bashkohem thirrjes tënde. Ama do doja nga ty t’i bëje një thirrje kryeministrit, që t’i ndalojë policët që po i ndjekin njerëzit dhe që po i qëllojnë gazetarët me plumba gome.
Kostana Morava: Unë s’jam përfaqësuese e Policisë së Shtetit.
Poli Hoxha: U bashkova me thirrjen tënde, bashkohu me thirrjen time!
(A2 Televizion)