Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, i cili mbeti jashtë listave për zgjedhjet lokale të 11 Majit, zbuloi në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se i ka kërkuar Sali Berishës dhe Flamur Nokës largimin e një kandidati nga lista për qarkun e Elbasanit.
Sula tha se në rast të futjes së tij në listë, do të ishin tre demokratë në garë për votat e një bashkie të vogël si Peqini, përfshirë këtu edhe një figurë të denjë, siç është kandidati i Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës, Emin Cani.
“Makina elektorale e imja janë njerëzit e mi të Peqinit. Farefis dhe gjithçka atje. Në Peqin ka dalë një kandidat që është një burrë shumë i mirë, nga partia e Bashës, Emin Cani, i djathtë totalisht, e persekutuar familja e tij. I dyti është një person tjetër që s’dua t’ia përmend emrin përsëri nga Peqini. Pra Basha, ai dhe unë. Tre veta në një bashki të vogël me kundërshtar një socialist të përbashkët. Pra ne do hanim njëri-tjetrin. Nuk përbente as logjikë politike”, tha Sula.
Ligjvënësi opozitar sqaroi se për arsyen e mësipërme, kërkoi që të ishte i vetëm në garë nga PD për votat e komunitetit të tij në Peqin, duke i garantuar sipas tij mandatin e 6-të në Elbasan.
“Më tej ndaj i kam kërkuar, se duke patur parasysh rezultatin që do të ketë personi që nuk i kalon 2500-3000 vota me gjithë votat e partisë dhe unë i kalo0j 6000 votat. Pra unë bie 10 mijë vota personale në të gjithë qarkun dhe ju thashë ju garantoj mandatin e gjashtë dhe më e keqja do mbroj mandatin e 5-të. Ky ishte kushti im, të largohej një individ tjetër”, sqaroi Sula.
Ndërkohë, analisti Lorenc Vangjeli zbuloi se në kampin e Partisë Socialiste në Elbasan ka nisur festa pasi morën vesh për krisjen e Dash Sulës me Partinë Demokratike dhe lënien e tij jashtë garës.
“Unë mund t’ju jap një lajm që vjen nga kampi përballë. Mërzisë legjitime të zotit Sula për largimin nga lista, që është një lojtar lokal i rëndësishëm atje. Mund ta shikoni në gëzimin e socialistëve që nga dje kanë nisur 6të rishkruajnë projeksionet e tyre për rezultatet e Elbasanit. E ritheksoj, ju paralajmërove se gara nuk bëhet mes partive, ajo është e reduktuar mes Ramës dhe Berishës. Gara e vërtetë do të jetë brenda llojit tek votat në listën e hapur. Deri në momentin që ishte zoti Sula në lojë, ata llogarisnin 9 me 5, tani është bërë 10 mandate”, tha Vangjeli. (A2 Televizion)