“Unë pres atë që është botërisht e njohur, pafajësi dhe të mbyllet një çështje që nuk ka asnjë lidhje me asnjë element të një vepre penale”.
Gjykata e Apelit të Përgjithshëm do të shpallë më 26 shtator vendimin përfundimtar ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji që kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Shkalla e Parë për akuzën e “kallëzimit të rremë” në dosjen “Babalja”.
Pas dhjetra seancash të dështuara, Apeli mundi të zhvillojë normalisht të premten shqyrtimin gjyqësor, ku deputeti Salianji u shoqërua në sallën nga një shpurë ligjvënësish demokratë. Përmes avokatëve të tij, por edhe personalisht, Salianji kërkoi pafajësi, duke pretenduar se dënimi i tij nga Gjykata e Tiranës në dhjetor 2019 ishte i pabazuar në prova.
Mbrojtësit pretenduan manipulim të dosjes, marrje provash në mënyrë të jashtëligjshme nga Gjykata e Tiranës dhe mungesë arsyetimi për refuzimet e kërkesave të bëra prej tyre në gjykim, mes të cilave pyetja si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama, ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ish-kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
“U përballa përsëri në gjykatë, për shkak se një i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 muaj e 4 vite burgim jetonte i lirë në Shqipëri prej më shumë se 8 vitesh për shkak të mbrojtjes politike që i jepte vëllai i vetëm ish-ministër i Brendshëm dhe ish-ministër Drejtësie. Nuk ka asnjë provë, nuk ka asnjë fakt, asnjë rrethanë se si mund të inkriminohem në lidhje me këtë çështje”, tha Salianji.
Në të njëjtën linjë pafajësie, ose kthim të çështjes për rigjykim, kërkoi përmes avokatit mbrojtës edhe i bashkëpandehuri i deputetit, gazetari Jetmir Olldashi. Nga ana e tij, prokurori i Apelit kërkoi lënien në fuqi të dënimit me burg për deputetin Salianji dhe atë me 100 orë punë me interes publik për gazetarin Olldashi. I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga avokati i Geron Xhafës, si palë e dëmtuar në këtë proces.
Në gjenezën e saj në vitin 2018, dosja “Babalja” u hetua nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por më pas i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës. Referuar hetimit, deputeti Salianji i kishte premtuar 200 mijë euro Albert Veliut për prova kompromentuese të përfshirjes në trafik droge për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Po sipas hetimit, Veliu dyshohet se ka inskenuar audio-përgjimin duke përdorur si aktor Fredi Alizotin, publikimi i të cilit shkaktoi bujë dhe përplasje të forta në skenën politike. (A2 Televizion)