Salianji: Pres pafajësinë. Do ta çojmë Fatmir Xhafajn në SPAK për hetim pasuror

Nga A2 CNN
20 Shtator 2024, 14:49 | Politikë

Deputeti Ervin Salianji tha pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të shtyrë për në 26 shtator vendimin përfundimtar për të, se pret të shpallet i pafajshëm. Ai paralajmëroi se këtë çështje dhe atë të mosfillimit të hetimit pasuror për ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, do ta dërgojë në SPAK.

“Është e qartë që regjistrimi është i saktë”, tha Salianji në dalje nga Gjykata e Apelit, shkruan A2 CNN. “Prokuroria sot tha që unë i kam dëmtuar imazhin një trafikanti droge dhe kam detyruar vëllain e tij të jepte dorëheqjen. Po unë këtë qëllim kam përditë, të rrëzoj qeverinë. Këta janë kalbësira morale që për para shesin gjithçka, për interes politik bëjnë gjithçka”.

Salianji zbuloi se në seancë, avokati i Geron Xhafajt pretendoi se klienti i tij ishte nën monitorim nga Prokuroria e Krimeve të rënda dhe Shërbimi Informativ. “E tha ai vetë. Dhe sipas tyre të gjithë institucionet bëjnë komplot dhe vetëm këta janë në rregull”, tha Salianji.

Deputeti demokrat, i cili nëse shpallet fajtor në Apel humbet mandatin, tha se kjo çështje do të duhej të ishte gjykuar në SPAK. “Do të depozitojmë kallëzim në SPAK për këtë çështje, për gjyqtarin e kësaj çështjeje, për Fatmir Xhafajn, sepse vëllai i vet është dënuar për trafik droge dhe ai nuk po hetohet për pasurinë nga ligji antimafia. Ky proces është mbajtur zvarrë, sepse kështu kanë dashur. Edhe sot duhet të ishte marrë vendim”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos