Nga burgu në Kuvend, ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj dëshmon te “sterilizimi”

Nga Anesti Barjamemaj
20 Shtator 2024, 16:09 | Politikë

Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat e Policisë, ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj la qelinë e paraburgimit burgut dhe ngjiti shkallët e Kryesisë së Kuvendit për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi, check-up dhe sterilizimin. Për këtë të fundit, ai po hetohet në kushtet e arrestit edhe SPAK, që ka autorizuar përballjen e tij me deputetët, ku Rrjepaj tregoi rolin e tij në koncesionet në shëndetësi duke shpjeguar pse u zgjodh që sterilizimi të bëhej me PPP dhe jo tender publik.

“Ka qenë edhe një diskutim që kemi bërë me ministirn, dihet fare mirë që buxhetet e investimeve në shëndetësi janë të limituara, Kjo kërkonte një angazhim të madh të burimeve financiare që nuk mundtë përballoheshin menjëherë nga buxheti i shtetit”, deklaroi ish-zëvendës ministër i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Ish-zëvendës ministri dëshmoi për pikënisjen e kësaj ideje, ku foli dhe për një udhëtim me Ilir Beqajn në Itali për të marrë ekspertizë nga Universiteti i Peruxhias.

“Në fund të 2013 ju keni nisur një bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias?”, tha Albana Vokshi, kryetare e komisionit hetimor

“Ka qenë një vizitë në dhjetor të 2013 për të nisur një bashkëpunim”, deklaroi Rrjepaj.

“Keni qenë pjesë e delegacionit shqiptar? Kush ka qenë tjetër?, pyeti Vokshi.

“Kam qenë unë, ka qenë ministri”, u përgjigj Rrjepaj.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, referoi një sërë dokumentesh ku sipas saj zbulohen shkeljet e koncesionit, për të cilin thotë se janë rritur vlerat në dëm të buxhetit të shtetit. 

“Tabela është krejt ndryshe nga tabelat e studimit të fizibilitetit bashkëngjitur, duket sikur një dorë është futur në momentin e fundit për të arritur atë nivelin që ju kishit menduar. Sepse nuk mundet që nga 50 mijë ndërhyrje të shkohet 37,720 ndërhyrje. Është edhe ndryshimi i çmimeve të seteve, kur keni bërë 37.720  keni rritur të gjitha çmimet e kompleksiteteve”, tha Vokshi.

“Numri 37 mijë aty është lapsus, numri që ne i jemi referuar për të ndërtuar këtë program është 50 mijë ndërhyrje”, u përgjigj Rrjepaj.

Debate pati edhe mbi një memo të atëherë-drejtoreshës së QSUT, Ogerta Manastirliu, e cila informonte edhe ministrin e kohës Ilir Beqaj për repartin e sterilizmit, i cili ishte gati për t’u vënë në punë.

“Ish-drejtoresha Manastirliu ka paraqitur gjendjen aktuale të repartit, dhe nga ajo që duket janë ambiente moderne të pajisura me aparatura”, tha Vokshi.

“Në lidhje me memon që ju thoni unë nuk e kam parë në atë kohë, e kam parë më vonë, por kjo nuk shkon ndesh me çfarë është bërë”, theksoi Rrjepaj. 

Ish-zëvendës ministri mohoi konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncesionin e sterilizimit dhe gjithashtu po hetohet nga SPAK për këtë çështje.

“Kam nënshkruar deklaratën që nuk kam konflikt interesi, pasi nuk kam pasur asnjë interes me asnjë person që ishteparaqitur në tender”, thekson Rrjepaj.

Rrjepaj mbrojti koncesionit për sterilizimin duke përmendur edhe shifra sa i përket uljes së numrit të infeksioneve dhe jetëve të shpëtuara.

“Çfarë na mbetet pas 10 vitesh, instrumentet na mbeten?”, tha Vokshi.

“Na mbetet çdo gjë”, u përgjigj Rrjepaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos