Përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk kanë negociuar për kandidatura në Tiranë, por vetëm për modelin që mund të bashkonte më gjerë opozitën në zgjedhjet vendore. Kështu deklaroi Sali Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD-së, sipas të cilit, qëllimi është të arrihet një marrëveshje e gjerë mes forcave opozitare, për të rritur shanset për fitore në kryeqytet dhe në degët e tjera.
“Nuk ka pasur asnjë diskutim për kandidatë. Diskutimet kanë qenë për modelin që bashkon opozitën. Ne kemi kandidatura të pakrahasueshme me ‘Korbën e Korrupsionit’, si Adriana Kalaja, Klevisi, Edi Paloka, të gjithë shumë më të denjë se kandidatja e PS-së”, deklaroi Berisha.
Berisha hodhi poshtë pretendimet se PD nuk ka kandidatë, duke theksuar se propaganda e qeverisë kërkon të fshehë të vërtetën për kandidaten socialiste. Ai shtoi se mbështetja për një kandidat të pavarur nuk buron nga mungesa e emrave, por nga një strategji për të bashkuar votat opozitare.
“Si mund të thuash, si mund të pretendosh se PD nuk ka kandidatë, karshi një personi, e cila në të gjitha konventat dhe kodet e botës ka kryer krime kundër njerëzimit ndaj të sëmurëve kur ishte ministre e Shëndetësisë? Dhe u bë bashkëautore në rrokullisjen e tmerrshme në arsim. Por jo drejtuesit, por u garantoj që çdo qytetar me integritet i Tiranës, është 5 herë, 10 herë i pakrahasueshëm më i denjë se Korba e Korrupsionit për atë kandidaturë.
Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer. Por ka lidhje me rekordin elektoral. Tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet”, tha Berisha.
Ai e akuzoi Ogerta Manastirliun, si një nga figurat më të inkriminuara të Partisë Socialiste dhe bashkëautore të krimeve gjatë pandemisë.
“Janë mbi 20 mijë jetë të humbura. Krimet e saj janë të dokumentuara nga KLSH dhe të dorëzuara në SPAK. Ajo e di si nënë, si grua, si motër, jo që nuk bëri asgjë për shëndetin e grave, por përkundrazi ka kryer krime kundër njerëzimit duke i privuar nga ilaçet jetike për kurimin e sëmundjeve si në asnjë vend tjetër të planetit. Nuk di ndonjë vend që nuk siguron të sëmurëve ilaçet e kimioterapisë. Nuk di ndonjë vend që nuk u siguron brakioterapinë dhe aparatura të tjera të mjekimit. Nuk di ndonjë vend që u jep të sëmurëve ilaçe të skaduara. Dhe të gjitha janë konkluzione të KLSH, të dorëzuara në Skapin e partisë, që i mbulon Altin Troplini, që është më kriminel se kjo.”
Berisha theksoi se kandidatja socialiste ka kryer krime kundër njerëzimit gjatë pandemisë dhe u kërkoi demokratëve që të përgatisin një dosje për gjykatën ndërkombëtare për Manastirliun.
“Ndaj dhe unë u ftoj të përqendrohemi në një përgjigje. Koha është jashtëzakonisht e ngushtë, e shkurtër, por duke pasur parasysh se përpara nga organizata kriminale e PS është një nga eksponentët më kryesorë të krimit, që me qëndrimet e saj u garantoj se jo në Shqipëri, dhe do ta konsiderojmë këtë nëse mund të përgatitet një dosje për gjykatën ndërkombëtare, pasi janë lënë të sëmurët në mëshirën e ilaçeve të skaduara, duke ua ndërruar etiketat, ka akte makabre, janë lënë muaj të tërë aparaturat e prishura, të cilat mund të rregulloheshin brenda një jave maksimumi”. (A2 Televizion)