“Gjendja e Shqipërisë është dramatike, dhe ato që paguajnë çmimin më të shtrenjtë janë gratë dhe vajzat”. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën “Të bësh ndryshimin: nga influencues në vendimmarrës”, e organizuar nga PD dhe fondacioni suedez, ‘Jarl Hjalmarson’.
Në fjalën e tij kreu i selisë blu theksoi se në Shqipëri sundon një narkoregjim, një diktaturë autoritare e bazuar në drogë, e bazuar në krimin dhe lidhjet e pushtetit me krimin.
“Gjendja sot e grave dhe vajzave, në Shqipëri, është dramatike, siç është dramatike gjendja e shoqërisë shqiptare, por ato që paguajnë çmimin më të shtrenjtë në këtë mes janë gratë dhe vajzat, pasi Shqipëri është vendi i parë dhe i vetëm në të cilin sundon një narkoregjim, një diktaturë autoritare e bazuar në drogë, e bazuar në krimin dhe lidhjet e pushtetit me krimin”.
Berisha sjell në vëmnendje arritjen kundër pabarazisë mes burrave dhe grave, por që sipas tij kjo arritje tashëm është rrokullisur me shpejtësi.
“Në qeverisjen tonë, ne u përpoqëm dhe shënuam hapa të rëndësishëm në betejën tonë kundër pabarazisë, në betejën tonë kundër murit të patriarkisë. E kam theksuar dhe e theksoj, ne arritëm që, nga një diferencë prej 36% në paga që ekzistonin midis burrave dhe grave, ta ngushtojmë këtë diferencë në 17.8%. Arritëm që, vajzat dhe gratë shqiptare, pabarazinë financiare dhe ekonomike, e cila është një pabarazi jashtëzakonisht e dhimbshme, ne arritëm që këtë pabarazi, jo vetëm ta ngushtojmë, por vajzat dhe gratë shqiptare nuk ishin më më të keqpaguarat në rajon, por ishin më të mirëpaguara në të gjitha vendet e rajonit. Kjo arritje u rrokullis me shpejtës”, tha Berisha.
(A2 Televizion)