“Rezistencë për shpëtimin e Shqipërisë!” Berisha: Rama po vazhdon betejën kundër imperializmit amerikan si Enver Hoxha

Nga A2 CNN
4 Tetor 2025, 14:09 | Politikë

“Rezistencë për shpëtimin e Shqipërisë!”

Sali Berisha ka bërë thirrje për rezistencë qytetare kundër atij që ai e quan "regjim autokratik dhe narkodiktaturë" të drejtuar nga Edi Rama. Në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha thekson se shpëtimi i Shqipërisë nuk vjen nga bojkotet apo ndërhyrjet e jashtme, por nga qëndresa e brendshme dhe përfshirja aktive në çdo hapësirë politike dhe institucionale.

“Duhet të kemi një debat të hapur me çdo qytetar se para syve tanë, ashtu sikur nuk i ka ndodhur ndonjë gjenerate në historinë e Shqipërisë, që nga kohërat e Skënderbeut gjer sot, vendi të shkretohet. Popullata e Shqipërisë të shkrihet njëlloj si bora para diellit. Të reduktohet, të zvogëlohet dhe të ecë drejt zhdukjes së saj. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe ne duhet të motivojmë qytetarët shqiptarë për një rezistencë dhe shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim. Por një gjë u siguroj, që ky shpëtim dhe kjo rezistencë nuk vjen me bojkot. Vjen me pozicionim në çdo pozicion dhe qëndresë në çdo pozicion. Nuk vjen nga jashtë, vjen nga ne, nga qëndresa jonë”, theksoi kreu demokrat.

Ai akuzoi kryeministrin Rama për kapje të të gjitha pushteteve, përfshirë drejtësinë dhe ekonominë, dhe e cilëson vendin si një narkoshtet ku qarkullojnë miliarda euro nga trafiku i drogës. Sipas tij, ndërtimet e shumta dhe mijëra apartamente bosh në Tiranë janë blerë nga njerëz të krimit për pastrim parash.

Berisha shpreh shqetësimin për largimin masiv të qytetarëve dhe rrënimin e prodhimit industrial dhe bujqësor në vend, duke e krahasuar situatën me zhdukjen graduale të kombit.

Berisha kritikoi edhe qëndrimin e kryeministrit Rama në samitin e Bledit në Slloveni, ku ai, sipas tij, ka shfaqur hapur armiqësi ndaj SHBA-së dhe marrëveshjes së paqes në Kaukaz. Berisha e krahason këtë me retorikën anti-imperialiste të Enver Hoxhës dhe thekson se Shqipëria nuk mund të drejtohet nga një “kryetar i një organizate kriminale”.

“Akti i tij në samit është akti më i shëmtuar që një përfaqësues mund të bëjë. Çfarë tregoi ai me të? Ai tregoi urrejtjen e fshehur që ka ndaj presidentit të SHBA. E ka atë nga trashëgimia hoxhiste, e ke atë nga dosjet e hapura në SHBA, jo një por disa për krimet e tij, e ka atë të paguar nga Sorosi, ato nuk i dimë. Por faktikisht ai është i vetmi që e shfaq, që nuk ngurron ta shfaqë, pavarësisht se jashtë çdo konteksti, thjesht urrejtjes së tij. Çfarë do të thotë ajo? Ia tha edhe Shtëpia e Bardhë, ajo paqe në Kaukaz ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme. Aty ka pasur një problem shumë thelbësor për të dy vendet dhe u gjet zgjidhja, u gjet një zgjidhje shumë e mirë, qoftë për Azerbajxhanin, qoftë për Armeninë. Korridori që ishte bllokuar, u shndërrua në korridor të lirë. Kush e kritikoi atë? Vetëm Irani e kritikoi haptas atë marrëveshje dhe e tall Edi Rama, i cili ka pafytyrësinë që në Bled të deklarojë se Europa nuk ka nevojë të presë për planin e paqes përtej oqeanit, se Europa vetë është paqja, është kultura e paqes, është paqja në kulturë. Kurse parmbrëmë deklaronte, se presidenti po kthen emrin paqe në fjalorin e harruar të Perëndimit. Me individë si ky, me krerë të narkoshtetit, Shqipëria po shkon në greminë”, tha Berisha.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos