Porosia e Edi Ramës se pas 11 majit duhet të fillojë puna për ndryshimin e drejtësisë, në emër të përmirësimit të standardeve, nuk ishte harruar nga socialistët. Në tryezën e dytë të nivelit të lartë të organizuar nga komisioni i posaçëm parlamentar për anti-korrupsionin, u tha qartë se pas zgjedhjeve parlamentare, do të prezantohet plani për ndërhyrjet në ligjet e reformës në drejtësi.
Xhafaj: Nuk mund të kuptohet sundimi i ligjit pa drejtësinë dhe institucionet e saj. Gjykuam më të arsyeshme që prezantimin e planit analitik dhe sidomos procesin e konsultimit ta zhvillonim pas zgjedhjeve duke shpresuar për një klimë më të qetë politike.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe zyrtarë nga Brukseli dhe Strasburgu, si zëvendës sekretari i KiE-së apo Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian. Prezenca e tyre duket se bëri Kryeministrin të mos ndjehet i braktisur nga partnerët ndërkombëtarë në këtë iniciativë dhe një mesazh pati për të tjerët që vijojnë të refuzojnë këtë komision parlamentar.
Rama: Dua t’i falenderojë të gjithë ata që na u gjendën, se këtë nuk e përkthen dot përkthyese, që na u gjendën në këtë ditë të ngatërruar sa gati-gati nuk na vunë me shpatulla pas muri si një grup subversiv që u krijua për të vrarë fëmijën që pollën vetë. Tani e kuptojnë që është krejt e kundërta, dhe kush nuk na besoj e ka të vështirë që të jetë prezent sot, por do të vijë, s’ka ku të shkojë.
Si për të dhënë garanci për këtë proces u kujdes të nënvizonte se nuk bëhet në zyrat e qeverisë por në parlament.
Edi Rama: nuk mund të jetë kjo hapësirë ndërveprimi një hapësirë që e krijon qeveria. u vërtetua nga koha që komisioni krijoji një momentum angazhimi gjithëpërfshirës shumë përtej mureve të institucioneve. Ky komision sipas Ramës do ta afrojë edhe më shumë vendin me Bashkimin Europian, shprehje e cila duket se ka krijuar inflacion në artikulimin e kreut të qeverisë.
Edi Rama: Myslimanët i falen Allahut 5 herë, ne i falemi BE-së më shumë se 5 herë në ditë.
Komisioni i posaçëm anti-korrupsion, drejtuar nga socialisti Fatmir Xhafaj, është refuzuar nga opozita që nuk merr pjesë në të, ndërsa institucionet e drejtësisë në vend nuk kanë pranuar të dërgojnë përfaqësuesit e tyre. (A2 Televizion)