
Dy deputetët e Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sina kanë shprehur kundërshtimin ndaj draftit të ri për Reformën Administrativo-Territoriale, duke shprehur rezervat e tyre në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.
Por kreu i grupit parlamentar Taulant Balla u kujtoi atyre se ky është një vendim politik dhe të gjithë deputetët e PS-së duhet ta votojnë. Me reduktimin në 46 bashki, deputetët mësohet të jenë shprehur se reduktohet efikasiteti i në ofrimin e shërbimeve.
Projektligji i propozuar nga Partia Socialiste parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive vendore: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.
Reforma territoriale ka hasur kundërshtime edhe jashtë Kuvendit. Para Kryesisë së Kuvendit banorë dhe përfaqësues të zonave që preken nga harta e re, kanë protestuar me thirrje kundër shkrirjes së disa bashkive.
Pavarësisht kundërshtimeve, mazhoranca ka deklaruar se do ta çojë përpara projektligjin për ta votuar më 8 tetor.
Komisioni i Ligjeve pritet ta shqyrtojë dhe miratojë draftin, ndërsa votimi në seancë plenare është parashikuar për 8 tetor. Për miratimin e reformës nevojiten të paktën 84 vota. (A2 Televizion)