Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, komentoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.
“Rama po i qep ndryshimet sipas kostumit të tij. Siç thotë populli: “kërcen prifti nga belaja”. Kushtet në të cilat është propozuar ndryshimi janë kushtet e disa operacioneve të drejtësisë karshi njerëzve kryesorë të pushtetit. Në këtë kontekst, efektet juridike të këtij ndryshimi, do të bëjë që mos të arrestohen dot për falsifikim dokumentesh, për pabarazi në tendera… Pra, nëse një reformë që ndikon te drejtësia bëhet pa organet e drejtësisë, do të thotë që po bëhet një ligj me porosi”, tha Hoxhaj në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.
“Është në kundërshtim të plotë me rekomandimet e EURALIUS. Qeveria shqiptare, në moment hetimi të dosjeve, po ndryshon rregullat në mes të lojës që të dalin nga burgu. Nuk e ke idenë sa zyrtarë publikë sot do kishin të drejtë t’i kërkonin gjykatës të hetoheshin në liri”, shtoi Lisandër Hoxhaj.
Sipas tij, “Ramës i duhet të bëjë çdo piruetë ligjore e politike që t’i zgjasë kohën vetvetes”. (A2 Televizion)