“Duhet kryetar jopartiak”, pedagogia Xhoi Jakaj e gatshme të garojë për Bashkinë e Tiranës

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 10:02 | Politikë

Sapo ka luajtur në një film, si kryetare bashkie, por Xhoi Jakaj thotë se është e gatshme ta bëjë këtë detyrë edhe në jetën reale. “Pse jo? Do të ishte mirë. Kam aspiruar pjesëmarrjen në politikë prej vitesh. Jam larguar pak nga politika dhe ndoshta duhet të jesh shumë në politikë aktive që të të shohin si personazh. Por unë mendoj që Tirana, Shkodra, Vlora dhe Durrësi, duhet të kenë një kryebashkiak jopartiak”, tha ajo, gjatë një bisede në “Dita jonë” me Bora Shahinin dhe Rei Bezhanin, në A2 CNN.

Ajo madje zbuloi se dikur ka qenë në listën e kandidaturave të mundshme për kryetare bashkie në Pukë, qytetin e saj të lindjes. “Ishalla nuk mërzitet ai kryetari i Bashkisë, se do ta zëvendësoja në mënyrë të denjë, çfarë s’do bëja në Pukë. Do ta bëja më të bukur se Tiranën, sepse Puka ka ujin, diellin, ajrin, ka oksigjenin i cili vjen si pasojë e klimës. Përpos ka njerëzit... Unë në tërë jetën time, në universitet, kudo, kur diskutohej kush janë njerëzit më të mirë dhe më të thjeshtë të zonave të veriut, dilte që Puka ka njerëzit më dashamirës, më miqësor, më bujarë, që duan gjithkënd dhe jam shumë krenare që jam vajzë nga Puka”, shtoi ajo.

“Unë e hodha, le ta marrë kush të dojë. Varet a më shohin si kandidaturë e mundur”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos