Dy qendra votimi në Vorë nxjerrin rezultatin pavarësisht urdhrit të Celibashit, nis festa e socialistëve. Por PD kalon në epërsi të lehtë

Nga A2 CNN
11 Maj 2025, 20:45 | Politikë

Dy qendra votimi në Bashkinë Vorë kanë nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve edhe pse nuk kishin marrë ende konfirmim nga Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Në Vorë dhe në njësinë 10 në Tiranë numërimi bëhet në mënyrë elektronike, por sipas Celibashit, partitë politike kanë kërkuar që ai të publikohet pasi të ketë filluar procesi i tabulimit të rezultatit për KZAZ-të ku është votuar në mënyrë manuale, shkruan A2 CNN. “Këtë rezultat ne do ta kemi në mëngjes ditën e nesërme, në orën 8 ose 9”, tha Celibashi.

Nga rezultati i printuar në këto dy qendra, në fshatin Domje, shihet një dominim i Partisë Socialiste, me 222 vota, ndërsa Partia Demokratike dhe koalicioni i saj kanë marrë vetëm 73 vota.

Pas publikimit të rezultatit, në Vorë nisi edhe festa me fishekzjarrë nga simpatizantë të Partisë Socialiste. Blerim Shera, kryetari i Bashkisë së Vorës, gjithashtu socialist, tha se Vora ka zgjedhur Edi Ramën. “Ne kemi kohë që punojmë për këtë rezultat, nuk është rastësor”, tha ai për gazetarët.

Por me publikimin e rezultatit edhe të 4 qendrave të tjera të votimit, Partia Demokratike duket se ka dalë në epërsi me një numër të vogël votash, 522 me 501. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos