“Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike.”
Pas debateve në Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Sali Berisha bën përgjegjëse për situatën mazhorancën socialiste.
“Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. Nuk kanë përfunduar konsultat e parashikuara dhe të miratuara sipas rregullave. Edi Rama duket se urdhëron komisionin të ecë në mënyrë të njëanshme.”, tha Berisha.
Duket se si PS ashtu edhe PD e kanë gati hartën me numrin e bashkive që propozojnë, por ndahen sa i përket mënyrës së procedimit në seancë. Opozita akuzon kundërshtarin politik për njëanshmëri.
“Ne, sigurisht, e kemi platformën tonë, por besuam dhe vlerësuam se duhej të kishim një ndërmjetës, një të urtë, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane për reformat territoriale, për të bërë më të mirën. Edi Rama dhe Partia Socialiste do të ecin veçmas.”, tha Berisha
Nëse për reformën territoriale debatet janë të forta dhe palët mbeten larg njëra-tjetrës, ndryshe paraqitet klima për reformën zgjedhore. Palët po shkojnë drejt një dakordësie për zgjatjen e afateve, por Berisha mbetet pesimist për produktin final.
“Edi Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ndërkohë, ne kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Pra, këtu ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre.”, tha Berisha.
Këto komente Sali Berisha i bëri gjatë një konference për mediat, ku komentoi edhe deklaratat nacionaliste të ministres serbe dhe kërkoi nga qeveria shqiptare shpalljen e saj non grata.
(A2 Televizion)