Edhe pse nga selia e PS u nisën të ndarë, ku njëri doli nga dera kryesore, ndërsa tjetri nga dera e pasme, Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës u shfaqën së bashku në Qytet Studenti.
Afrimiteti nuk dukej vetëm fizik. Toni me të cilin iu referuan njëri-tjetrit ishte qartësisht miqësor.
“Sapo më dha një ide që këto godina gjatë verës mund t’i kthejnë në airnb”, u shpreh Veliaj.
“Ashtu siç e tha Erioni këtu do të ketë edhe një pishinë olimpike”, tha Rama.
Situata politike e ndërlikuar në PS-në e Tiranës 3 muaj para zgjedhjeve duket se ka nxitur Kryeministrin që të paktën në publik, të qetësojë marrëdhënien me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, teksa nuk i kurseu fjalët në mbështetje të punës së Erion Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet, mbështetja e qeverisë dhe e imja personalisht për Tiranën mbeten prioritare”, tha Rama.
Pasi mori në mbrojtje Bashkinë Tiranës, Edi Rama duke shfrytëzuar Qytetin Studenti si një vend simbol nga ku nisi demokracia, sulmoi Sali Berishën, që sipas tij, vonoi integrimin e Shqipërisë.
“Jemi vetëm pak hapa larg, shpirti i keq, shejtani që e futi në qorrsokak”, tha Rama.
Komentet i bëri gjatë një aktiviteti me qëllim inaugurimin e dy godinave të reja në ambientet e Qytetit Studenti, me mbështetje nga qeveria gjermane. (A2 Televizion)