Ish-prokurori Ervin Karanxha komentoi në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN situatën e drejtësisë dhe problematikën e ligjit për kthimin e pronave të ish-pronarëve, në kontekstin e ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Karanxha e cilësoi si turp dhe padrejtësi të madhe mënyrën si funksionon procesi gjyqësor për pronat: “Është turp i madh që ligji për kthimin e pronave të ish-pronarëve është bërë kundër pronarit. Ka qenë gjithmonë tendenca që pronari të mos marrë tokën e tij. Sot po ndodh pikërisht ajo që ishte parashikuar: e nis një gjyq kur je 50 vjeç dhe e mbaron 80 vjeç. Pronën e merr tek varri”, tha Karanxha.
Ai shtoi se procesi i gjatë dhe burokratik i gjykatave bën që shumica e ish-pronarëve të mos arrijnë kurrë të marrin pronat e tyre gjatë jetës: “Ligjet e fillimit të viteve ’90 janë bërë në dëm të pronarit. Shumë herë pronari merr vetëm një letër gjyqi dhe asnjëherë tokën që i takon”, theksoi ish-prokurori. (A2 Televizion)