Kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Cuci, la të kuptohet se mazhoranca do të ndjekë të njëjtin skenar edhe në seancat e posaçme që parashikohej t'i dedikoheshin diskutimeve për buxhetin 2024 dhe paketën fiskale. I pyetur nga gazetarët, Çuçi tha se ishin të mjaftueshme diskutimet në komisionet parlamentare, që janë zhvilluar online, në të cilat gjithsesi opozita nuk ka qenë prezente.
“Besoj se tymueset mjetet piroteknike e barrikadat nuk janë skenar i mazhorancës, por i opozitës. Ne do të vazhdojmë të bëjmë ligje e të qeverisim. Debati parlamentar nuk është vetëm në seancë plenare është dhe më i gjerë në komisione nuk i marrim me zor kolegët e opozitës t’i fusim në komisione. Skenari ynë është të miratojmë ligjet, diskutimet ezaurohen në komisione. Por nuk i ndezim ne flakadanët e nuk bllokojmë foltoren. Pas pandemisë mbledhjet online të komisioneve parlamentare janë gjëja më normale në botën e qytetëruar. Ne e kemi diskutuar në konferencë kryetarësh. Kemi bërë mbi një vit komisione parlamentare online. Pandemia nuk parashikohet në rregulloren e parlamentit. Jam dakord me çdo vendim që lejon që jeta parlamentare të vijojë normalisht”.
I pyetur se pse nuk i miraton mazhoranca komisionet hetimore të opozitës, Çuçi u përgjigj se e vetmja gjë që i ndalon ka të bëjë me objektin.
“U vërtetua që e gjithë përpjekja e opozitës për rivendosje të hapësirës brenda parlamentit është demagogji. Kishim për shqyrtim 6 nga nismat ligjore që ka ndërmarrë opozita brenda të drejtës së opozitës. Edhe për shqyrtimin e nismave të tyre ata përsëritën skenat. Ne japim arsyet tona pse nuk miratohen ata të tyret dhe na gjykon publiku. Është e drejtë kushtetuese që të ngrenë komisione e vetmja gjë që na bën të mos e miratojmë ka të bëjë me objektin”.
Çuçi theksoi se shqyrtimi i nismave të opozitës zhvillohet përmes një kalendari të miratuar nga konferenca e kryetarëve, dhe jo brenda ditës.
“Kemi bërë agjendë për shqyrtimin e nismave parlamentare të opozitës dhe ne po i përmbahemi këtij kalendari. Është gjë që është përcaktuar me kalendar, se fillon opozita dhe krijon skenarë të tillë për të penguar punën e parlamentit për qëllime që nuk lidhen fare me parlamentin, politikën e shqiptarëve, por me një njeri që sot është në SPAK. Nismat ligjvënëse janë të parashikuar në konferencë kryetarësh një muaj përpara, nuk vendosen brenda ditës. Ne jemi të hapur për çdo lloj dialogu.”
(A2 Televizion)