EKSKLUZIVE, ambasadori i Gjermanisë në “Çdo Kënd”: Rajoni të mos humbë në konflikte bilaterale

Nga A2 CNN
25 Tetor 2024, 21:57 | Politikë

Në një intervistë në “Çdo Kënd nga Merita Haklaj” në A2 CNN, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, ndër të tjera foli edhe për Procesin e Berlinit duke theksuar se qeveritë e rajonit duhet ta mbështesin këtë proces dhe të mos humbin në konflikte bilaterale.

“Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit janë pjesë e pandarë dhe integrale e familjes europiane dhe këtë e vërteton edhe vizita e Von der Leyen në Tiranë. Jam tejet mirënjohës që i është vënë theksi edhe procesit të Berlinit, i cili në asnjë moment nuk ka synuar që të jetë një konkurrent për integrimin në BE, por instrument mbështetës për të gjithë këtë proces.

Ky proces e përgatit rrugën për integrimin në BE të këtyre vendeve. Pritshmëritë janë që qeveritë të mbështesin këtë proces duke mos u humbur në konflikte bilaterale, siç mund të jetë rasti i rëndomtë mes vendeve të caktuara të Ballkanit Perëndimor, por të punojmë për zhvillimin e rrethanave të përgjithshme.

Suksesi i Procesit të Berlinit është bërë i dukshëm edhe në faktin e kapërcimit të konflikteve që kanë ekzistuar mes vendeve të caktuara, siç ishte së fundmi ai mes Kosovës dhe Serbisë, zgjidhja e të cilit u i bë i mundur pikërisht në kontekstin e këtij procesi. Kjo më jep shpresën që edhe situata konfliktuale të vështira mund të kapërcehen duke bashkëpunuar në kuadër të këtij procesi në interes të këtyre qytetarëve”, tha ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, në “Çdo Kënd nga Merita Haklaj” në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos