Pedagogu Erlis Çela shprehu zhgënjimin e tij për faktin se procesi integrues i Shqipërisë, sipas tij, nuk po shoqërohet me një transformim për vendin tonë.
“Mua më bëri përshtypje një pjesë e deklaratës së Komisioneres Marta Kos, ku ajo e cilësonte procesin e integrimit një proces transformues për një vend. Në fakt, unë jam i zhgënjyer nga kjo pikëpamje se unë nuk shikoj ndonjë transformim në Shqipëri dhe kjo është fatkeqësi. Mendoj që është një zhgënjim i madh për gjithë shoqërinë shqiptare, e cila priste që procesi i integrimit të ishte vërtetë transformues në kuptimin e plotë të fjalës. Pra, ne të ishim një shoqëri, një vend më i mirë kur të bëheshim anëtar i Bashkimit Europian; ne të kishim cilësi më të mirë ushqimore, siguri ushqimore; të kishim standarte në mënyrën se si e përdorim dhe e rekrutojmë administratën; të kishim kushte më të mira dhe t'i përafroheshim realisht Bashkimit Europian, jo vetëm në kuptimin mekanik të të procesit, duke përafruar vetëm ligjet, sepse kjo tani bëhet shumë thjeshtë, por në fakt ky proces tregon që ne nuk po transformohemi në mentalitet politik. Ne ende jemi shumë larg diskutimit serioz mbi standartet bazike që kërkon Bashkimi Europian: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi vetëm pak ditë nga përfundimi i afatit të komisionit për reformën zgjedhore dhe nuk ka shenja fare të ndryshimit të mentalitetit, të diskutimit për të krijuar kushte të barabarta për zgjedhje, për të garantuar një lloj standarti të cilin e diskutojmë që nga 1992. Nga kjo pikëpamje, ky proces nuk është fare transformues dhe ky është zhgënjimi më i madh”, tha Çela në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.
“Ky nuk është proces transformues, ky është një proces mekanik. Për fat të keq, po e zhgënjen qytetarin shqiptar. Sigurisht, është mirë të jemi anëtarë të Bashkimit Europian, por nëse ne po hyjmë në Bashkimin Europian sepse ne i duhemi në këtë moment nga pikëpamja gjeopolitike dhe ne nuk po ndryshojmë asgjë në mënyrën se si funksionojmë si shoqëri, si funksionojmë si politikë, unë nuk shikoj ndonjë element shumë pozitiv në këtë. Si mund të hyjmë ne në Bashkimin Europian me këtë nivel edukimi, arsimi, me këtë nivel të politikës së jashtme, ku e kemi personalizuar dhe e kemi kthyer në operacion PR çdo gjë, ku nuk jemi seriozë në marrëdhëniet me fqinjët. Pra, ne kemi shumë probleme, nuk kemi standartet bazike dhe tani po themi që për tre vjet ne do jemi njësoj si Kroacia, si Gjermania, si Italia”, shtoi pedagogu Erlis Çela.
(A2 Televizion)