Lista Studentore në pushtet ka zyrtarizuar profesorin e kimisë Radomir Saiçiç si kandidat për President në zgjedhjet e 27 dhjetorit në Serbi.
Saiçiç, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, u bë një nga figurat e njohura të lëvizjes studentore pas fitores së saj në zgjedhjet e tetorit. Profesori, i cili ka marrë pjesë edhe në protestat kundër korrupsionit pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në vitin 2024, thotë se prioriteti i tij është rikthimi i besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore, shkruan A2.
“Regjimi në largim po përpiqet ende të minojë shtetin tonë. Për ta parandaluar këtë, duhet të rindërtojmë institucionet që janë keqpërdorur nga regjimi. Parlamenti, qeveria dhe gjykatat duhet të rifitojnë besimin e qytetarëve”, shprehej Saiçiç.
Gjatë një interviste të dhënë më herët, Saiçiç tha se konsideron Kosovën një “territor të pushtuar përkohësisht” dhe pjesë të pandashme të territorit të Serbisë.
Ai mbështet bashkëpunimin energjetik të Serbisë me Rusinë, megjithëse deklaron se ka një qëndrim pozitiv ndaj Evropës: “Kam një qëndrim pozitiv ndaj Evropës dhe vlerave evropiane. Këto vlera, si etika në punë, mbrojtja e mjedisit, sundimi i ligjit, arsimi me standarde të larta dhe një ekonomi e bazuar te dija, janë fusha që duhet t’i zhvillojmë plotësisht”.
Saiçiç është profesor i kimisë organike dhe studiues i specializuar në zhvillimin e trajtimeve kundër kancerit dhe terapive antivirale. Ai u bë objektiv i sulmeve nga tabloidët pranë qeverisë, pasi nënshkroi një peticion së bashku me 24 akademikë të tjerë, ku kërkohej dorëheqja e presidentit të atëhershëm serb, Aleksandar Vuçiç.
Në maj të vitit 2026, ai u largua nga një ekspozitë në galerinë e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në shenjë proteste ndaj pranisë së Nikola Selakoviçit, asokohe ministër i Kulturës. (A2 Televizion)