Nga Elbasani ku prezantoi “Paketën e Paqes”, duke propozuar fshirjen e të gjitha borxheve të bizneseve më të vjetra se 10 vjet, kryeministri Edi Rama nuk la pa sulmuar kundërshtarët e tij politik.
Këtë herë zgjodhi që ironinë të lidhte me një “ish-socialist”, me të cilin përkrah bënte më parë beteja elektorale, duke ngjyrosur rozë edhe bashkinë e Kavajës, që njihet si bastion i të djathtës.
Për Elvis Rroshin, Rama iu referua aludimeve se po bën fushatë për kandidatin demokrat Elton Roshi, që është kushëriri i tij dhe garon në listën e PD në Qarkun e Tiranës.
Kryeministri ironizoi faktin se Rroshi në kohën kur qëndronte përkrah tij, etiketohej si kriminel nga PD, ndërsa sot kur është bashkuar me ta akuzat nga kampi i djathtë kanë rënë.
“Keni dëgjuar një farë Elvis Rroshi. Tani e kanë marrë dhe është në rregull ai. Ishte kriminel kur ishte me mua, kështu që kjo është historia tani. Me mua rri se nuk ke ku shko. Vetë e ke fajin, vjen këtu”, tha Rama. (A2 Televizion)