Çështja e pronave në bregdet ishte kryefjala e takimit elektoral të Sali Berishës në Himarë, me kryedemokratin që ka akuzuar kryebashkiakun Vangjel Tavo dhe kryeministrin Edi Rama se duan të grabisin tokat në Gjipe.
“I them Vangjel Tavos, misioni yt... bravo, ashtu është. E meriton plotësisht neverinë tuaj. E meriton sepse erdhi vetëm misionar i qëllimeve mafioze të Edi Ramës, i cili me familjen e tij do të plaçkisë tokat e Manastirit të Skutarasë, do të plaçkisë Gjipenë, në një kohë kur familja e tyre ka pasur, sipas dëshmive, katër dhi dhe tre derra. Dhe e thotë vetë, Baba Piloja siç i thotë Edi Rama, që ne nuk kishim tokë fare, kurse tani na del me 224 mijë metra katrorë tokë dhe thotë që e kam në majë të malit, toka del buzë detit. Edi Rama, nuk do e gëzosh kurrë atë tokë. Toka është e këtyre banorëve, është e manastirit dhe ti nuk do ta marrësh kurrë atë”, tha kreu i PD.
Berisha u zotua se kryesocialisti nuk do ta gëzojë kurrë tokën në zonën e Himarës dhe u premtoi qytetarëve rikthimin dhe kompensimin e saj, e njëherësh edhe pajisjen e tyre me dokumente.
“Sot në Shqipëri ka ligje të cilat janë një kopje e ligjeve të vitit 1946. Edi Rama ka krijuar një agjenci, në të cilën ka vendosur si pronë të gjithë territorin e shtetit shqiptar. Ne zotohemi se do të respektojmë paprekshmërinë e pronës, do të rikthejmë pronën në çdo rast që ajo ekziston. PD dhe aleanca e saj janë një aleancë konservatore. Ne besojmë fort se vetëm duke u bazuar në këto vlera mund të ndërtojmë Himarën Madhështore. Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute”, deklaroi Berisha.
(A2 Televizion)