Rama, takim me bizneset në Elbasan: Inspektime me Inteligjencë Artificiale

Nga A2 CNN
24 Prill 2025, 13:02 | Politikë

Rama, takim me bizneset në Elbasan: Inspektime me Inteligjencë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një bashkëbisedim me biznesin në Elbasan për “Paqen Fiskale”, foli për lehtësitë fiskale që do të ndërmarrë qeveria shqiptare, sipas tij, me qëllim mbështetjen e biznesit të vogël. Gjithashtu, njoftoi se inspektimet nëpër biznese do të bëhen së shpejti me Inteligjenca Artificiale.

Kjo paketë e veçantë i jep bizneseve mundësinë për të mbyllur çështjet e së kaluarës dhe për të pasur një marrëdhënie të re, më të drejtë dhe më të parashikueshme me shtetin.

“Që në krye të herës e rrëzuam taksën e sheshtë për të gjithë sepse nëse do ta mbanim, s’do të kishim sot 93% e atyre që janë rrogëtarë në shtet apo privat që paguajnë më pak se 10%. Godiste më të vegjlit. Ne e kthyem në progresive që të vegjlit të mos paguajnë njësoj si të mëdhenjtë dhe iu kemi kursyer më të vegjëlve, pra rrogëtarëve me pagë mesatare 140 milionë euro. Një shumë jo e vogël për shtetin shqiptar. 1,4 miliardë janë shumë dhe ia kemi lënë arkës së fitimeve. Ndërkohë, që tatim fitimin e kemi lënë 15%, por s’do ta presim. Në aspektin e administrimit kemi të meta, boshllëqe që janë tonat, po kemi edhe hapësirë të pashkelur për të rritur të ardhurat për shtetin. Por, nga ana tjetër s’duam të synojmë rritjen e mëtejshme të ardhurave duke bërë më shumë dëm se mirë”, u shpreh Rama, shkruan A2.

“Inspektimi do të kryhet nga Inteligjenca Artificiale dhe nuk do të ketë më inspektorë në terren. Ata do t’i kenë sytë në ekran. AI kur shikon anomali te një biznes, sinjalizon. Kur sinjalizon, inspektori i çon njoftimin biznesit që “ke harruar të shtypësh butonin”. Do ta çojmë në një nivel krejt tjetër”, shtoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos