Nga arresti i shtëpisë, kreu i “Rithemelimit”, Sali Berisha ka reaguar pas transmetimit të episodit të radhës investigativ me në fokus Shqipërinë, të Rai 3.
Berisha u shpreh se Shqipëria në sytë e publikut Europian dhe botëror shihet tashmë si një shtet i mafias dhe drogës.
Sipas tij, pikërisht për këtë arsye, qeveria duhet të largohet. Po ashtu, Berisha bëri thirrje që qytetarët të protestojnë të enjten në orën 11:00 te Parlamenti, ku siç tha ai, do të kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu, në deklaratët për mediat, kreu i “Rithemelimit”, ka renditur një sërë arsyesh, që sipas tij, tregojnë se sulmi ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ishte i porositur nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Berishës, sulmi ndaj avokatit Mëngjesi, u paraqit si një akt që ndodhi për shkak të problemeve që juristi kishte me një nga klientët e tij. Por ky, skenar shton kreu i “Rithemelimit”, nuk qëndron.
Sqarimi i Berishës:
Ne fakt Prof. Mëngjesi kishte përfaqësuar në dy shkallët e gjykimit në një çështje prone Dritan Nanon dhe tre të tjerë dhe çështja ishte fituar dhe në përputhje me kontratën e firmosur prej tyre Prof. Mëngjesi kërkonte prej 6 vitesh detyrimin që kishte ndaj tij ish-polici Dritan Nono.
Por vetiu lind pyetja: A mund të ishte ky motiv që Dritan Nano të vendoste eleminimin fizik publik të avokatit me të cilin fitoi gjyqin për të mos i dhëne atë që i takonte? Jashtëzakonisht e vështirë që ky variant të pranohet.
Sot janë mijëra çështje pronësie midis pronarëve dhe mijëra kundërshti midis avokatëve dhe klientëve, por nuk është dëgjuar kurrë që klienti të vrasë avokatin me të cilin fiton gjyqin e pronësisë për të mos i dhënë shpërblimin në përputhje me kontratën.
Një akt i tillë do ishte i ngjashëm sikur të vrasësh në gjumë në shtëpinë dhe bukën tënde bamirësin tënde.
Perveç kësaj sado kafshë që të ishte Dritan Nano ai e dinte se ish-avokati i tij ishte profesor i njohur universiteti, ish-dekan i Fakultetit Juridik dhe prej 8 muajve avokat i Kryetarit të PD, Sali Berisha. Pra e dinte se pasojat e sulmit ndaj avokatit të tij do ishin të rënda dhe të paparashikueshme dhe se jehona e krimit të shëmtuar brenda dhe jashtë vendit do ishte e madhe dhe se ai pas këtij akti nuk do mund të gëzonte pasuritë e fituara me gjyq me ndihmen juridike të Prof. Mëngjesit. Nuk po ndalem këtu në një seri pikpyetjesh të tjera që bëjnë të papranueshëm atentatin si vepër e Dritan Nanos.
Megjithkëtë Dritan Nano ka rolin e tij në këtë akt kriminal të shëmtuar. Asgjë nuk përjashton mundësinë që ky borxh me kontratë iu ble kriminelit Dritan Nano nga askush tjetër veçse nga shteti që i duhej, i përshtatej për të organizuar skenarin e eleminimit publik të Prof. Mëngjesit dhe në vendin më të populluar, më të filmuar, më të kontrolluar të kryeqytetit.
Eshtë shumë normale që lexuesi i këtyre rradhëve të shtrojë pyetjen çfar faktesh, dokumentash ke për këtë transaksion të krimit.
Në raste të tilla si rregull nuk gjenden kurrë dokumenta e madje as dëshmitarë. Por gjithçka tjetër flet për një skenar të organizuar nga shteti duke shfrytëzuar për këtë qëllim kundërshtinë midis Dritan Nanos dhe avokatit, Prof. Sokol Mëngjesi.
Për të argumentuar këtë ftoj të shtrojmë disa pyetje.
Së pari a nuk ishte Prof. Mëngjesi me kolegë të tij avokat i çështjes gjyqësore politike me kryesore të kohës? Dhe, lidhur me këtë, a nuk janë të urdhëruara nga Edi Rama kallëzimi i rremë ndaj Sali Berishës, hetimi, kufizimi i lirisë, arresti në shtëpi në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën e vendit.
(A2 Televizion)