Teksa Tirana është përfshirë nga një valë protestash, me kërkesën për të anuluar projektin në Zvërnec, Sali Berisha deklaroi vendimin e demokratëve në mbledhjen e grupit parlamentar. “Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, kanë banuar. Dakord. Pra ne mbështesim investimin e huaj”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Kreu i forcës kryesore në opozitë tha se ky nuk është qëndrim i ri, por it re viteve më parë, kohë kur dhëndri i Donald Trump kishte shprehur ambicie për investime në Sazan dhe Zvërnec. Berisha tregoi arsyen se përse e ka mbështetur këtë investim, pavarësisht se Donald Trump nuk ishte zgjedhur ende president.
“Pavarësisht se ai ishte në opozitë, plotësisht dakord. Pse? Që të jemi të hapur me ju. Kam thënë vetëm një fjalë, sepse i ka paratë. Sepse thuhej që fondi Saudit, fondi Saudit i investimeve fondi Saudit, janë fondet publike të investimeve, është fond trilioner. Ai ka triliona dhe natyrisht paratë ishin. Unë arsyeja bazë pse kam thënë po, ka qenë kjo dhe e kam lidhur me paratë”, tha kreu i PD.
Problemi sipas kreut të opozitës nuk është zhvillimi në zonën e Zvërnecit, por ndërtimi i aeroportit shumë pranë lagunës së Nartës. “Po cili do kishte qenë qëndrimi i Partisë Demokratike, i qeverisë sonë dhe i yni në raport me Zvërnecin? Unë ju them, jo, ai peizazh ne do ta zhvillojmë. Në përputhje me peizazhin. Në kushte të plota, po aeroportin aty s'e ndërtonim kurrë. Kurrë. Që të jemi këtu të qartë, zotërinj deputetë duhet të jeni shumë të qartë”.
Sipas kreut të Partisë Demokratike, aeroporti në vendin ku ndodhet aktualisht do të shkatërrojë habitatin e shpendëve. (A2 Televizion)