
Kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar ndaj monologut të Edi Ramës për librin “Albanian Files”, duke e akuzuar se po përpiqet të fshihet pas emrave të arkitektëve dhe studiove të huaja për të justifikuar atë që opozita e konsideron një grabitje të pasurive publike dhe private në Shqipëri.
Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha tha se libri nuk dëshmon suksesin e qeverisë, por e paraqet Ramën si “një sulltan të një sulltanati të shekujve më parë”, që e trajton vendin si pronë personale.
Sipas tij, publikimi i 523 projekteve ngre pikëpyetje të mëdha mbi burimin e financimeve për hartimin e tyre, ndërsa kërkoi që institucionet ndërkombëtare si Eurojust, Europol dhe Interpol të hetojnë pagesat e kryera.
“Ky libër dëshmon dhe njëherë mungesën e plotë totale të transparencës dëshmon përsëri se Edi Rama e trajton Shqipërinë si një pashallëk apo një bajrak të tij. Përpiqet, rreket të paraqesë emra, studio e të tjerë si mburojë, por në fakt dhe këtu harron se njerëzit kanë në memorien e tyre, në kulturën e tyre raportet më të shëmtuara me diktatorët, me despotët në kohëra i kanë patur arkitektët dhe kjo kështu ka qenë edhe në diktaturën hoxhiste. Ndaj dhe nuk i bën përshtypje asgjë me ato emra apo me ato studio", shprehet kryedemokrati.
"Ka dy momente shumë të rëndësishme. Së pari, ato 523 projekte të paktën duhet të jenë paguar me miliarda euro për hartimin e tyre. Kush i ka paguar këto projekte? Cili është burimi i parave të këtyre projekteve? Ftoj Eurojust-in, ftoj Interpol-in, ftoj Europol-in të hetojnë fillësisht burimin e pagesave në këto studio”, vijon ai.
Berisha akuzoi gjithashtu Ramën për konflikte interesi dhe përfitime familjare në zonën e Gjipesë.
Kujtojmë që kryeministri Edi Rama foli sot për librin “Albanian Files” që përmban projekte që synohet të ndërtohen në Shqipëri, duke theksuar se botimi është vendosur në shënjestër te inkuizicionit revolucionar të protestës.
Duke u ndalur te letra e arkitektit Reinier de Graaf, ku ndër të tjera thuhet “bëhu mbret”, Rama vë në dukje se kemi të bëjmë me tekst auto-ironik dhe jo deklarata politike. Kreu i qeverisë vë në dukje se ai vetë nuk është autor por vetëm ka shkruajtur parathënien e librit.
(A2 Televizion)