"Je e pacipë", deputetja e PS i kthehet Redi Muçit: Pse nuk proteston për ndërtimin e babait tënd në zonën e mbrojtur të Butrintit?

Nga A2 CNN
27 Qershor 2026, 21:09 | Politikë

"Je e pacipë", deputetja e PS i kthehet Redi Muçit: Pse

Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, është përplasur me deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, gjatë një debati për protestat dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura.

Çakërri ironizoi angazhimin e Muçit në mbështetje të protestuesve, duke pretenduar se familja e tij është aksionere në një resort vilash dhe hotelesh në zonën e Butrintit, ku sipas saj është dëmtuar një trashëgimi natyrore e kategorisë së parë.

Ajo ngriti gjithashtu akuza për një ndërtim pa leje në Gjirokastër, të cilin tha se i përket babait të deputetit dhe për të cilën sipas saj është në dijeni komuniteti i Gjirokastrës.

"Për çfarë po proteston?" - e pyeti Çakërri.

"Për banorët që po u vidhet toka", u përgjigj Muçi.

"Për një zonë të mbrojtur, apo jo?" - vijoi deputetja socialiste.

"Po, për një zonë të mbrojtur që ju doni ta ktheni me vila", tha Muçi.

Debati u tensionua kur Çakërri deklaroi se Muçi "predikon për gjëra që vetë nuk i zbaton", duke iu referuar pronës së familjes së tij në bregdetin e jugut të vendit dhe një ndërtimi pa leje që sipas saj është bërë brenda një shkolle në Gjirokastër.

Muçi i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

"Po gënjen, nuk ka lidhje fare. Je në vete? E di ti ku i bie Butrinti? Nxirr letrat", u shpreh ai.

Çakërri këmbënguli në akuzat e saj, teksa Muçi e konsideroi si të "pacipë".

Në mbyllje të debatit, Çakërri tha se "të pacipë janë ata që protestojnë për gjëra që i bëjnë vetë", ndërsa Muçi vijoi të mohojë çdo pretendim të ngritur ndaj familjes së tij.

Më herët deputeti i Lëvizjes Bashkë ka sqaruar se bëhst fjalë për një pronë me disa vila ku nuk është ai aksioner por babai, dhe se prona daton shumë vite më parë ku nuk ka asnjë përfitim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos