Çfarë është Komuniteti Politik Europian?

Nga A2 CNN
15 Maj 2025, 11:17 | Politikë

Çfarë është Komuniteti Politik Europian?

Komuniteti Politik Europian (KPE) është një platformë ndërqeveritare e iniciuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, më 9 maj 2022, në Strasburg. Ai nuk është institucion i Bashkimit Europian (BE) dhe nuk ka bazë juridike apo traktat formal. Sipas përfundimeve të samitit të parë në Pragë (6 tetor 2022), KPE synon të ofrojë një forum për dialog politik dhe bashkëpunim në çështje me interes të përbashkët për vendet evropiane.

Çfarë është Komuniteti Politik Europian?

KPE përfshin 47 shtete: 27 vendet anëtare të BE-së dhe 20 vende të tjera europiane (si Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kosova dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Turqia, Zvicra, Norvegjia, etj.). Samitet organizohen dy herë në vit, në vende të ndryshme. Pjesëmarrja bazohet në ftesë politike, jo në ndonjë kriter të përcaktuar institucional. KPE nuk ka sekretariat të përhershëm, buxhet të dedikuar apo strukturë vendimmarrëse - vendimet dhe konkluzionet janë të karakterit konsultativ dhe jo detyrues.

Në dokumentet përgatitore të samiteve të mbajtura (si ai në Moldavi në qershor 2023), theksohen katër fusha prioritare:

1. Siguria dhe mbrojtja, përfshirë mbështetjen për Ukrainën.

2. Energjia dhe lidhja infrastrukturore.

3. Ndërlidhjet ndërmjet njerëzve, përmes projekteve arsimore, kulturore dhe të rinisë.

4. Emigracioni dhe stabiliteti rajonal.

KPE nuk e zëvendëson procesin e zgjerimit të BE-së dhe nuk është një “dhomë pritjeje” për anëtarësim, por është parë nga vendet e Ballkanit Perëndimor si një mekanizëm për rritjen e rolit politik në Europë dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes strategjike europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos