Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi sapo ka votuar në qendrën e votimit nr. 30-33, në KZAZ- në nr. 60 në Fier. Në një prononcim për mediat Baçi ka pohuar se ky është një moment historik, por ka theksuar se procesi që në nisje të tij ka patur shkelje të rënda të kodit zgjedhor.
Ai ka denoncuar se në qendrën e votimit 31- 34 / 1 në KZAZ- në nr. 59 një kuti ka ardhur me 500 fletë votimi mangët dhe me një urdhër të KQZ po i plotësojnë nga qendrat e tjera, teksa njëherazi ka denoncuar edhe praninë e “patronazhistëve” në institucionet pranë qendrave të votimit të cilët orientojnë qytetarët për votim.
Ndërkohë praninë e kandidatëve në qendrat e votimit deputeti Baçi nuk e ka konsideruar shkelje të kodit zgjedhor por ndërhyrje për të monitoruar shkeljet kur ka informacione nga komisionerët. Pjesëmarrja në votime është e konsiderueshme është shprehur Baçi dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë për ndryshimin. (A2 Televizion)