Institucioni i Avokatit të Popullit u ka përcjellë partive kryesore politike shqiptare Kodin e Sjelljes gjatë fushatave zgjedhore.
Përmes një njoftimi, Institucioni i Avokatit të Popullit shprehet se kjo lëvizje ka për qëllim nxitjen e një debate politik të civilizuar, të lirë nga gjuha e urrejtjes, përçarjes apo diskriminimit.
Po ashtu Avokati i Popullit shkruan se Kodi i Sjelljes është një marrëveshje morale që kërkon respektimin e standardeve më të larta të komunikimit publik nga të gjitha partitë, pavarësisht nëse janë ose jo nënshkruese formale të tij.
Njoftimi i institucionit të Avokatit të Popullit:
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, Avokati i Popullit u ka përcjellë partive kryesore politike shqiptare Kodin e Sjelljes gjatë fushatave zgjedhore, me qëllim nxitjen e një debati politik të civilizuar, të lirë nga gjuha e urrejtjes, përçarjes apo diskriminimit.
Avokati i Popullit ishte një nga institucionet nismëtare të këtij kodi, në bashkëpunim dhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, si pjesë e angazhimeve të institucioneve publike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm e gjithëpërfshirës. Hartimi i tij është fryt i një procesi të nisur në vitin 2021 në kuadër të Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes, me mbështetjen e aktorëve institucionalë dhe politikë.
Kodi i Sjelljes është një marrëveshje morale që kërkon respektimin e standardeve më të larta të komunikimit publik nga të gjitha partitë, pavarësisht nëse janë ose jo nënshkruese formale të tij. Ai bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Zgjedhor dhe në Rekomandimin nr. 15 të ECRI (Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës), që Shqipëria e ka pranuar si angazhim ndërkombëtar.
Avokati i Popullit thekson se, në këtë kontekst, zbatimi i Kodit është një detyrim moral e institucional, dhe sjellja gjatë fushatës do të jetë edhe objekt monitorimi nga ECRI (Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës) gjatë vizitës së paralajmëruar në qershor 2025.
Në vijim, rekomandohet:
• Zbatimi i angazhimeve të parashikuara në Kod;
• Distancimi nga çdo akt apo gjuhë që bie ndesh me frymën e dokumentit;
• Përdorimi i një gjuhe të denjë, gjithëpërfshirëse dhe respektuese ndaj të gjithëve. (A2 Televizion)