Ende pa u bërë zyrtar vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë Erion Veliajt, Sali Berisha e cilësoi si kapitullim të Edi Ramës dhe Bajram Begajt. Nga selia blu, lideri i Partisë Demokratike deklaroi se çështja në kushtetuese ishte një dhuratë që Rama i dha Veliajt.
“Këtë e komentoj si një vendim të gjyqtarëve që në këtë rast zbatuan ligjin. E trajtoi në atë mënyrë, siç e tha ai vetë, si “serial killer” bën burg. E trajtoi deri aty sa duhej t’i dilja unë zot për të drejtat e njeriut. E trajtoi në atë mënyrë që shkel Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën dhe çdo lloj standardi të një qëndrimi ndaj të burgosurve. Dhe me këtë ai i dha Erion Velisë avantazhin de facto. Bajram Begaj dhe Rama janë të palosur të dy me këtë vendim”, tha Berisha.
Këto deklarata Berisha i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, ku vendimi i vetëm që morën ishte dalja e partisë në bazë dhe takimi i qytetarëve.
I pyetur nëse do të ketë protesta, lideri demokrat pohoi se ende nuk është vendosur nëse do të thirren demokratët në tubime apo jo.
Lidhur me diskutimet e brendshme, kreu i opozitës pranoi që në mbledhje ka pasur edhe qëndrime për të radikalizuar aksionin në Kuvend. (A2 Televizion)