“Gjysma e Shqipërisë u kaloi fqinjëve”, Duka për vendimet e Londrës: Trojet shqiptare, kurban për të shpëtuar Europën nga lufta

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2025, 21:44 | Politikë

Gjysma e trojeve shqiptare u bënë kurban në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës për të shpëtuar Europën nga Lufta e Parë Botërore. Kështu u shpreh historiania Valentina Duka në “Çdo kënd” me Merita Hakljan në A2 CNN, duke rikthyer në vëmendje, vendimet e asaj konference që  përcaktuan kufijtë e shtetit të ri shqiptar, që i shkëputën Shqipërisë gjysmën e territorit të saj etnik.

Në A2 CNN Duka shpjegon se konferenca u zhvillua në Londër dhe jo në Paris, sepse ministri i Jashtëm britanik, Eduard Grey, i cili drejtoi punimet, nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Ballkan. Por ai donte të balanconte presionet e fuqive të tjera, sidomos Francës dhe Rusisë, që mbështesnin pretendimet e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë mbi trojet shqiptare.

“Nëse konferenca do mblidhej në Paris vendimet mund të ishin më të dëmshme për Shqipërinë dhe ata do të luftonin për ekzistencë si shtet me kufij sa më të gjerë brenda territorit të Shqipërisë natyrore dhe këmbëngulën të bëhej në Londër pavarësisht se nuk ishte aq e thjeshtë sa Parisi. Ai që do ta drejtonte ishte Eduard Grei ministri i Jashtëm i Anglisë, kurse shtetet e tjera do të përfaqësoheshin nga ambasadorët e atashuar në Londër. Eduard Grei mbajti qëndrim më neutral, por do të merrte ato vendime sepse Anglia nuk kishte interesa direkte në Ballkan. Dy blloqet kundërshtare ishin krijuar. Ai mendonte se nëse nuk do respektoheshin edhe Franca e Rusia që nuk ishin për ekzistencën e një Shqipërie të madhe se  mbështesnin interesat e Serbisë, Malit të zi e Greqisë. Ai mendonte se nëse nuk do merreshin këto vendime lufta e parë do kishte filluar që në dhjetor të 1912-ës”, tha Duka në A2 CNN.

Sipas historianes, Grey ishte i vetëdijshëm se vendimet do të dëmtonin Shqipërinë, gjë që i konfirmohej vazhdimisht nga komisionet që vizitonin terrenin dhe raportonin se vijat e kufirit ndajnë shqiptarët me shqiptarët.

“Sa herë i dërgonin Eduard Greit mesazhe, memo, anëtarët e vet në komisionet që erdhën në Shqipëri për të konturuar Shqipërinë politike që keni marrë një vendim të dëmshëm se kudo ku shkojmë që piketojmë kufijtë, ndajmë shqiptarët me shqiptarët. Ai i kthente përgjigje; jam i sigurt për këtë por Ishte vendimi i duhur në kohën e duhur për të shpëtuar Europën nga lufta e parë botërore”, theksoi historiania në A2 CNN.

Sipas Dukës, më 22 mars 1913 u përcaktuan kufijtë veriorë dhe më 11 gusht ata jugorë, duke u kaluar shteteve fqinje gjysmën e territorit të Shqipërisë natyrore, për të shpëtuar Europën.

“Me 3 vendimet që u morën në konferencën e ambasadorëve më 22 mars u piketuan kufijtë veriorë dhe në 11 gusht kufijtë jugorë ku u kaloi shteteve fqinjë gjysma e Shqipërisë natyrale që Europa të ruante stabilitetin në rajon, por dhe një implementim i dëshirës dhe interesave strategjike të fuqive të mëdha që nuk dëshironin ekzistencën e Shqipërisë politike të asaj kohe. Fatmirësisht me këmbënguljen e Italisë e Austro-Hungarisë, Shqipëria politike u bë, nuk u bë siç e deshi elita politike më 28 nëntor, por u bë Shqipëria që kemi sot me gjysmën e territoreve natyralë”.  

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos