Ndërhyrja në sistemet e brendshme të komunikimit në SPAK dhe tentativa për hakeruar dosjet e prokurorëve, për Sali Berishën është një sulm që ka prapavijë politike. Lideri opozitar pohoi gjatë një konference për mediat se gjithçka është luftë mes klaneve të Partisë Socialiste.
“Çfarë është kjo? Është kjo mundet dhe një luftë e brendshme, brenda klaneve mafioze brenda PS. Edhe këtë hakerimin, duan t’ja faturojnë Fatmir Xhafajt”.
Ndryshe nga SPAK që pohon se nuk është vjedhur asnjë e dhënë hetimore, Berisha deklaron se dosja e tij është marrë nga kompjuterët e prokurorëve.
“Tani edhe Fatmirit po i vijnë rrotull dhe po e akuzojnë se, gossipi është fjala, se ka hakeruar kompjuterat e SKAP-it, dhe për të më revoltuar dhe mua, edhe dosjen time. Atë i them Fatmiri publikojeni sa ta gjeni, se është publike”.
Në konferencë Berisha u pyet edhe për tarifat tregtare që vendosi Donald Trump ndaj shumë vendeve të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Lideri demokrat e mbrojti këtë vendim të kreut të Shtëpisë së Bardhë, ku tha se kjo ishte masë për reciprocitet.
“Qeveria e PD-së, pas 11 majit do të ketë në agjendën e vet, negociatat e hapura, transparente me qeverinë e SHBA-së, për çështjen e tarifave. Jam optimist, sepse në qoftë se ju keni konstatuar, për Shqipërinë janë përdorur, në një shikim të parë, tarifat më të ulëta se në vendet e tjera, edhe për Kosovën e njëjta gjë”.
Përballë premtimit të Edi Ramës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Berisha e konsideron Kryeministrin si njeriu që vonoi me vite të tëra procesin, ndërsa garanton se misioni do të përmbushet nga PD, siç bëri me anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave.
(A2 Televizion)