Hapet tuneli i Llogarasë, shkurton udhëtimin me 45 minuta për në jug, shmanget Qafa e Llogarasë

Nga A2 CNN
5 Korrik 2024, 19:41 | Politikë

Tuneli i Llogarasë është hapur për qarkullim të automjeteve.

Pas autostradës Thumanë-Kashar, Tuneli i Llogarasë, i gjatë 6 kilometër është vepra e dytë infrastrukturore që hapet në prag të sezonit masiv turistik veror. 

“Ajo që patë nga Thumanë në Kashar do të jetë nga kufiri me Malin e Zi deri te lidhja me autostradën këtu në Fier. Kështu që do vijë nga andej, plumb pushke në tunelin e Llogarasë e do iki matanë. Ne kemi qenë gjithnjë xhelozë ndaj kufitarëve. Nuk bëhet nami të bëhen ata një herë”.

Vënia në funksion e tunelit të Llogarasë shkurton ndjeshëm distancën për të aksesuar jugun e vendit, duke evituar kalimin nga Qafa e Llogarasë. Shpejtësia e lëvizjes në tunel do të jetë nga 50 deri në 80 kilometër në orë, ndërsa gjatë sezonit veror në të pritet të lëvizin rreth 10 mijë automjete.

“Të tëra përrallat e dikurshme ne po i bëjmë. Se ka shumë që kanë premtuar si tunelin e Llogarasë dhe Aeroportin e Vlorës, po për të bërë, por e bëjmë ne”, tha Rama.

Tuneli nis nga Ura e Shën Elizës dhe del në Urën e Palasës, ndërsa është pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, pjesë e Autostradës Vlorë-Sarandë. Punimet për ndërtimin e tunelit nisën në 15 nëntor të vitit 2021, me kosto rreth 180 milionë dollarë. 

“Paralelisht është tuneli i emergjencës i cili do të vihet në funksion kur të kemi nevojë. Kryesisht do të shërbejë në rast se do të kemi qarkullim të shtuar të automjeteve”, tha ministrja Balluku.

Ndryshe nga Autostrada Thumanë-Kashar, një investim të tërësisht privat i kompanisë “Gener 2”, tuneli i Llogarasë u ndërtua me paratë e buxhetit të shtetit. Pavarësisht kësaj, nga viti i ardhëm kalimi në të do të kushtojë 5 euro. Në mbyllje të udhëtimit prej 6 kilometrash kryeministrin e pritën me tingujt e polifonisë, përmes të cilëve i kënduan edhe Himarës shqiptare.

            (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos