Nga protesta e 15 para Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, vijoi akuzat ndaj SPAK dhe Erion Veliajt. Sipas tij Altin Dumani vijon të amnistojë kreun e Bashkisë së Tiranës, madje edhe arrestimin e ish-ministrit Ilir Beqaj, e sheh si pjesë e të njëjti plan.
“Arrestuan dje në një show të turpshëm, madje dhe me porosi të Erion Veliajt, Ilir Beqajn. Po për çfarë e arrestuan, për qindra milionë Eurot e sterilizimit, check up? Të shkatërrimit të sistemit të shëndetësisë, apo për fatura restorantesh. Duke amnistuar kështu dhe hajdutin e parë 2 metra”, u shpreh Këlliçi.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike shpjegoi se prangosja e Beqajt është bërë për të hequr vëmendjen nga një vendim i Gjykatës së Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, që orientonte SPAK të hetonte dosjen “5D” si grup i strukturuar kriminal.
“Sepse përmbushin të gjitha kushtet për t’u konsideruar të tillë, sepse të paktën në 7 vite kanë vjedhur 30 milionë Euro nëpërmjet 45 tenderëve. Dhe ndërkohë Altin Dumani dhe SPAK as nuk lëviznin gishtin dhe mbrojnë Erion Veliajt dhe drejtorët e korruptuar”, shtoi ai.
Këlliçi njoftoi se protesta e javës së ardhshme nuk do të zhvillohet para Bashkisë, por do t’i bashkohet asaj kombëtare para kryeministrisë, thirrur për të enjten 11 korrik në orën 20:00. (A2 Televizion)