Drejtësia vonon por nuk harron... Me këtë postulat deputetët e Partisë Demokratike për vite me radhë vijuan betejën në gjykatën administrative kundë Kuvendit për mosdhënien e pagave në periudhën e bojkotit nga Korriku 2018 deri në Janar 2019.
A2 CNN ka siguruar një prej vendimeve, ku deputetët e opozitës kanë pritur gati 7 vite për të marrë pagesat e gjysmës së dytë të vitit 2018.
Gjyqtari Gentian Hamiti, argumenton se Kuvendi ka gabuar duke ndërprerë pagesën e parlamentarëvee demokrat, të cilët kolegjialisht kishin vendosur bojkot total të punimeve të Kuvendit.
“Gjykata vlerëson se për të konkluduar rast pas rasti nëse deputeti me sjelljen e tij përmbush detyrimet kushtetuese dhe ligjore të ushtrimit të mandatit kushtetues parlamentar duhet të vlerësohen të gjitha rrethanat dhe konteksti i gjithë angazhimeve të tij apo mënyra se si ushtrohet aktiviteti parlamentar. Në këtë kuptim gjykata vlerëson se ushtrimi i mandatit parlamentar mund të bëhet sipas mënyrave të ndryshme dhe se aktiviteti parlamentar mundet të ushtrohet si në seancë plenare, në komision apo edhe jashtë parlamentit”.
Vendimin e grupit parlamentar për të bojkotuar Kuvendin, gjykata e cilëson si një mënyrë të ushtrimit të aktivitetit parlamentar.
“Për rrjedhojë nuk mundet të konkludohet në këto raste se deputeti, i cili vepron sipas vendimit të grupit parlamentar ku ai aderon, të konsiderohet se mungon në mënyrë të pajustifikuar në ushtrimin e funksioneve të tij në mbledhjet se seancave plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare, dhe për pasojë nuk po e ushtron mandatin e deputetit të kundërshtim me detyrimt e tij kushtetuese dhe ligjore”.
Gjykata shkon më tej duke interpretuar ligjin për statusin e deputetit dhe argumenton se vetëm kur mospjesëmarrja në seanca është akt individual, atëherë Kuvendi mund të veprojë duke bllokuar pagesën.
“Për sa kohë deputetët janë të propozuar nga një grupim politik i caktuar, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre marrin përsipër detyrime politike ndaj forcës politike që i ka mandatuar. Për sa më sipër, duke qenë se nuk jemi para një qëndrimi individual të paditësit, gjykata arrin në përfundimin se mospjesëmarrjen e tij në seancat plenare të zhvilluara nga Kuvendi dhe në mbledhjet e komisioneve parlamentar nuk mund të vlerësohet si një mospjesëmarrje pa shkaqe të përligjura dhe për rrjedhojë nuk mund të aplikohen ndaj tij ndalesat e pjesshme të pagesës ose të shpërblimit”.
Në fund gjykata detyron Kuvendin që të derdhë në llogarinë e deputetit demokrat, shumën prej gati 2 milionë Lekësh të rinj. (A2 Televizion)