Vota e Enkelejd Alibeajt për heqjen e imunitetit të Sali Berishës në Këshillin e mandateve dy ditë parë nuk ka qenë aspak surprizë për deputeten e PD-së Ina Zhupa, sipas të cilës kjo reflektoi edhe njëherë krizën e brendshme. Në studion e Ditarit në A2 CNN, ajo tha se surprizë ishte që një komision, për herë të parë në historinë e parlamentarizmit, të heqë imunitetin e një deputeti pa sjellë prova nga prokuroria.
“Personalisht nuk pata ndonjë surprizë. Ata e kanë shprehur qëndrimin e tyre dhe kjo beteja brenda Partisë Demokratike do të reflektohej edhe aty, sepse ne e kemi trajtuar njëri tjetrin me shumë kundërshtar se deputetët e PS. Nuk kishte ndonjë surprizë. Kurse në konceptin e komisionit ishte surprizë, që një komision për herë të parë në historinë e parlamentarizmit të heqë imunitetin e një deputeti pa sjellë prova nga prokuroria. Edhe Berishës i është hequr dhe më parë imuniteti. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në Kuvend që të bëjë komente mbi vendimin e gjykatës nuk e lejon Kushtetuta që Kuvendi të bëjë zëvendësim mase. Kuvendit i drejtohesh për të marrë masën. Dhe marrëdhënia në atë rast është mes Kuvendit dhe Prokurorisë dhe jo Kuvendit e Gjykatës, siç tentuan në rastin Berisha”.
Për deputeten Zhupa, ajo seancë duhet të ishte shtyrë ose pezulluar deri sa të përgjigjej Gjykata Kushtetuese për interpretimin e nenit për imunitetin.
“Ishte flagrante kur ne 30 deputetë iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 73 pika 2 e kushtetutës për imunitetin, se duhet të kuptojnë që nuk bëhet fjalë për zotin Berisha, po për çdo deputet dhe po iu bë deputetit është më keq për çdo qytetar. Ajo seancë ose duhej të ishte pezulluar ose shtyrë dhe duhet marrë gjithmonë në bazë të provave dhe jo vendimeve të Gjykatës”.
E pyetur për seancën e nesërme në Parlament kur pritet të kalojë për votim heqja e imunitetit të Sali Berishës, Zhupa theksoi se do të jetë i njëjti skenar.
“Nëse duan normalitet të kalojnë në rend dite ngritjen e komisioneve hetimore dhe bashkëkryetarin e reformës zgjedhore. Nesër do të ketë bashkërendim të situatës brenda dhe jashtë parlamentit për të kundërshtuar shkeljen e kushtetutës e marrjen e të drejtave qytetarëve. Mos prisni normalitet as nesër”. (A2 Televizion)