Hiqet non-grata amerikane, Berisha: Kam komunikim zyrtar, tani u ktheva, u krye!

Nga Indrit Maraku
11 Qershor 2026, 14:36 | Politikë

Lajmi i heqjes së non-gratës ndaj Sali Berishës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisi të qarkullonte mëngjesin e të enjtes, ende pa nisur seanca plenare.

Si rrallëherë, kryedemokrati nuk pranoi t’u përgjigjej gazetarëve që e prisnin në oborrin e Parlamentit, por iu drejtua menjëherë sallës ku ndërkohë deputetët kishin nisur diskutimet.

Me të hyrë brenda, deputetët e tij u ngritën në këmbë duke e pritur me duartrokitje. Berisha iu drejtua menjëherë foltores, ku u tregua fjalëpakë, por mjaftueshëm sa për të konfirmuar lajmin. 

Të njëjtën vetëpërmbajtje shfaqi edhe më pas, kur pranoi të ndalej me gazetarët. Disa herë u pyet nëse nga heqja e sanksioneve kanë përfituar edhe familjarët e tij, por nuk dha detaje.

Përkundër vetëpërmbajtjes së tij, në sallë demokratët nuk e frenuan entuziazmin. Socialistët u shfaqën indiferentë. Sali Berisha u shpall non-grata 5 vjet më parë, për korrupsion dhe minimin e demokracisë, nga atëherë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos