“Hodhën baltë mbi Shqipërinë për të goditur Melonin”, Rama për reportazhin e RAI3: Agaçi u trajtua si kriminel

Nga A2 CNN
24 Prill 2024, 19:51 | Politikë

“Hodhën baltë mbi Shqipërinë për të goditur

Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuar këtë të mërkurë në një emision online të gazetës italiane “La Repubblica”, ku ka reaguar lidhur me reportazhin investigativ të RAI3, ku thuhej se marrëveshja Rama-Meloni për të ngritur kampe emigrantësh në vendin tonë, ishte negociuar nga sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në Shqipëri, Engjëll Agaçi, të cilit media italiane i referohej si avokat i narkotrafikantëve shqiptarë gjatë kohës kur punonte në Itali.

Rama ka theksuar se në këtë reportazh është “hedhur baltë” mbi Shqipërinë për të goditur kryeministren e Italisë, Meloni. Ai tha se në reportazhin e medias italiane, sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë është trajtuar si kriminel për një punë të bërë vite më parë si avokat penalist.

“Çfarë do të thotë kjo histori? Për të vënë në sy të publikut dikë që në jetën e tij ka bërë avokatin penalist. Ai ka mbërritur në Itali dhe ka derdhur djersë për atë diplomë. Avokatët penalistë nuk mbrojnë engjëjt, por edhe trafikantët. François Mitterrand ka qenë avokat penalist dhe ka mbrojtur shumë njerëz.

Në 2013, ky person e la Italinë dhe është bërë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ai është figura numër një e administratës publike shqiptare. Nuk shoh lidhjen mes karrierës së tij dhe kësaj marrëveshje. Ai është një figurë institucionale që ka hartuare këtë marrëveshje që nuk ishte e lehtë. Ishte mirëfilli diçka që nuk arrij ta kuptoj. Kryetari i këshillit të ministrave është trajtuar si kriminel dhe nuk i kanë dhënë as të drejtën për të reaguar. Ai është trajtuar dhe baltosur sikur të ishte një kriminel. Kjo është bërë për të sulmuar kryeministren tuaj, por ç’hyn Shqipëria këtu dhe ç’hyn avokati penalist dhe të vihet në mes të kësaj me gjysmë të vërtetë, të cilat në këtë mënyrë janë gënjeshtrat më të mëdha”, tha Rama për median italiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos