Përpara se të nisen për të bërë pazarin, konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësi të shohin informacionin online në adresën “pasqyraecmimeve”, për të parë dhe krahasuar çmimin e një produkti në subjekte të ndryshme. Nëse duan të marrin 1 kg vaj, atëherë do të mund të zgjedhin supermarketin që u leverdis më tepër.
Qeveria shqiptare ka vendosur që për tre muaj çmimet e shportës dhe të produkteve të tjera në 13 kategori të jenë të pandryshueshme. “Do të kenë një çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri më 12 janar të vitit të ardhshëm”, tha kryeministri Rama, përcjell A2 CNN.
Deri më tani, qeveria ka arritur të bindë privatët për 238 produkte, por synon ta rrisë më tej numrin e tyre. “Sot janë mbi 200 artikuj që janë pjesë e kësaj pasqyre. Synimi është që deri në fund të vitit ato të jenë 1000”, tha Rama.
Thirrjes së qeverisë i janë përgjigjur vetëm pesë sipërmarrje, ndërsa kryeministri u bën thirrje edhe të tjerëve, duke u kujtuar gjithashtu ligjin në rast se abuzojnë me çmimet. “Shpeshherë ndodh që çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe, për këtë arsye, ligji parashikon edhe gjoba në rast se ato çmime janë spekulative. Thirrja jonë do të jetë mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirja në këtë nismë”, tha Rama.
Gjithashtu, në këtë adresë online do të publikohen edhe njoftime për oferta, si një mundësi, sipas qeverisë, për t'u ardhur në ndihmë atyre qytetarëve që kanë më pak mundësi për të përballuar shpenzimet e përditshme. (A2 Televizion)