Për kryedemokratin Sali Berisha indeksimi me 4.1% i pensioneve që do të nisë nga muaji tetor, është një tallje e madhe me 791 257 pensionistë, nga ana e qeverisë Rama.
Nga dalja e përnatshme prej dritares së banesës së tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, Berisha tha se me shtesën e pensionit, një i moshuar që përfiton pension të ulët në vendin tonë mori gjithsej 4 kafe në muaj.
“Çfarë u dha edhe këtyre nga këto 16 milionë euro që shpërndau për 730 mijë pensionistë? Një pensionist me pension të ulët mori gjithsej 4 kafe në muaj. Një pensionist me pension të lartë mori diku tek 10 kafe. Kjo ishte rritja e pensioneve, në një kohë kur më shumë se gjysma e tyre, me pensione të ulëta dhe të mesme, numërojnë kafshatat, nuk blejnë ndonjëherë bukën, nuk blejnë dot fruta, nuk blejnë dot bulmet, nuk blejnë dot ushqimet. Ky është një skandal, ky është një akt çnjerëzor i turpshëm”, u shpreh lideri i opozitës.
Më tej, Berisha shtoi se nga 32 përqind i rrogës minimale, sot pensioni ka zbritur në 26 përqind.
“150 përqind më i ulët në proporcion se në Serbi, Maqedoni, Bosnje, Mal të Zi. Si mund të sillesh ti në këtë mënyrë ndaj këtyre njerëzve? Ç’është kjo çnjerëzi ndaj tyre? I lë të vdesin pa ilaçe, nuk i blejnë dot. Pyesni, i dëgjon çdo ditë. Jo ilaçe nuk marrin. I detyron të flasin me vete, se ndonjëherë kanë një ndihmë nga dikush, por ndonjëherë nuk i ndihmon njeri. Ua ke bërë jetën sterrë burrave dhe grave fisnikë, që u shkrinë për vendin dhe ti i detyron të numërojnë kafshatën mor hajdut që nuk ke moral, as nder as gjë prej gjeje”, deklaroi ai duke shigjetuar kryeministrin Edi Rama. (A2 Televizion)