Abuzimi me fondet për bujqësinë, PS refuzon debatin e kërkuar nga PD: Hetimi i BE, konfidencial

Nga Fjorela Beleshi
18 Korrik 2024, 16:41 | Politikë

Temperaturat e larta duket që kanë ndikuar edhe në vonesat e deputetëve për të marrë pjesë në seanca parlamentare.

Këtë të enjte, për shkak të mungesës së kuorumit, mbledhja u çel 30 minuta me vonesë, ndërsa deputetët që ishin të për piktë me orarin shfrytëzuan celularët e tyre për t’u informuar për zhvillimet e fundit, ndërsa prisnin kolegët, siç është rasti i deputetit socialist Erion Braçe që ndiqte pritjen e shefit të tij politik nga kryeministri Britanik në Londër.

Abuzimet me fondet e IPARD-it ishte çështja për të cilët demokratët dhe socialistët u munduan të krijonin një debat politik në seancën e parafundit për këtë sesion. Kërkesë që kishte marrë përgjigjen negative që në konferencën e kryetarëve ku PS nuk ja pranoi kreut të grupit demokratë kërkesën për mocion me debat. “Opozita i shtriu dorën mazhorancës, jo qeverisë, pasi qeveria është shpallur skenë krimi”, tha Bardhi.

Refuzimi i kryeparlamentares Nikolla u lidh  me idenë që nuk ka parë një dokument zyrtar nga BE për abuzimet e Shqipërisë me fondet e BE, ndërsa nga ana tjetër, Bledi Çuçi ishte në dijeni një raporti, por kërkoi mirëkuptimin e demokratëve që fillimisht t’i lihet në dorën e Ramës zgjidhja e kësaj çështje.

Të pasinqerta i pa deputeti i mazhorancës Erion Braçe shqetësimet e demokratëve për paratë që duhej të shkonin te fermerët shqiptarë.

Ndërsa deputetja e opozitës, Ina Zhupa, hodhi akuza ndaj Ramës se po e mbron deh e shpërblen ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila ishte përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve të IPARD.

Socialistët, jo vetëm që ja refuzuan me votë kërkesën Gazment Bardhit, për mocion me debat, por kryetarja e Parlamentit nuk i përcaktoi as datën se kur demokratët mund të kenë mundësi të kërkojnë llogari për abuzimin me fondet e IPARD-it.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos