Është përfshirë nga debati studio e Off the Record em Andrea Dangllin në A2 CNN në lidhje me protestat, situatën ekonomike dhe mënyrën se si politika i percepton problemet apo realiteti e qytetarëve mes aktivistes Edlira Çepani dhe deputetes socialiste Ilva Gjuzi
Debati nisi pasi Çepani deklaroi se realiteti në terren është shumë më i vështirë nga sa paraqitet në statistika, duke akuzuar politikën se shpesh i sheh problemet “nga maja e pushtetit”. Gjuzi iu përgjigj duke theksuar se jeton në Golem dhe është pranë realitetit të qytetarëve.
Çepani renditi si shqetësime kryesore rritjen e çmimeve të ushqimeve, koston e lartë të karburantit, problemet në sistemin shëndetësor, ndotjen e mjedisit dhe kufizimin e aksesit në hapësirat publike. Sipas saj, këto janë disa nga arsyet që kanë nxitur revoltën qytetare dhe protestat e ditëve të fundit.
Pjesë nga debati
Çepani: A mund t'i jap një përgjigje se cila është situata që unë shoh në terren sot, se varet se nga e sheh ti. Mund ta shohësh nga majat, aty ku jetojnë ata që kanë para dhe patjetër që i duket shumë mirë.
Gjuzi: Unë jetoj në bregun e detit të Golemit, e dashur.
Çepani: Ok. Po atëherë është shumë e rëndësishme që politika të mos shkëputet nga realiteti, sepse ne mund të flasim me shifra gjatë gjithë ditës, sepse dhe unë kam të njëjtin profesion, flas me raporte, flas me shifra, por pastaj zbres edhe në terren. Dhe në terren ka një situatë, e cila në fakt është edhe karburanti i gjithë kësaj revolte, në të cilën çmimet e ushqimeve ne i kemi të papërballueshme, katërfish më të larta sesa në Itali dhe në të gjithë rajonin.
Gjuzi: Po patjetër, se prandaj kemi nevojë të zhvillojmë edhe industrinë agropërpunuese dhe bujqësinë.
Çepani: Karburantin më të shtrenjtë në Evropë. Unë me Adrin, që shkojmë e vijmë nga Kosova, shkojmë mbushim makinën në Kosovë që të vijmë këtu dhe të punojmë, sepse këtu nuk na del. Mendo atij njeriu atje që ka dalë në protestë, që merr 40.000 lekë në muaj dhe nuk i dalin për të mbajtur familjen. Edhe këto nuk janë fjalë. Këto janë gjëra që i vuajnë të gjithë njerëzit, edhe kameramanët që janë këtu, edhe ata njerëzit që janë atje, edhe shumë njerëz të tjerë. Kështu që ky është një fakt në Shqipëri.
Faik Basha: Karburanti këtu është i shtrenjtë sepse janë përfshirë disa taksa, ndërsa në vende të tjera shtrihen në gjithë shoqërinë.
Çepani: Shëndetësia është më mirë sot?
Nurellari: Patjetër, kur vjen si Zegjineja që bullizon kundërshtarët, ka bullizuar duke u marrë personalisht. Po e kupton? Janë persona publikë. Për punë ka vajtur në Parlament dhe ka dhënë shembullin më të shëmtuar të bullizimit, të poshtërimit të rivalit politik. Ja, kështu është. Pra edhe ata, ti edhe unë mendojmë kështu, juve dhe ata që janë në rrjet e që jeni të punësuar mendoni ndryshe.
Gjuzi: Liria ime për të hyrë në politikë nuk të jep ty apo dikujt tjetër të drejtën për të më sulmuar, për të më bullizuar.
Nurellari: Nuk të bullizon njeri. Vë në dukje gjuhën e poshtër të urrejtjes dhe nëpërkëmbjes.
Gjuzi: Është e turpshme që ju merreni me zonjat e Kuvendit të Shqipërisë apo ato zonja që kanë zgjedhur të marrin angazhim politik.
Nurellari: Në qoftë se duan intimitet dhe jetë private, të kthehen në shtëpi. Ti ke hyrë të më japësh llogari e të mbash përgjegjësi edhe për gjuhën që përdor, edhe për fjalët që nxjerr nga goja. Po flasim për shembullin tuaj, shembullin tuaj të mirë. Madje ti vetë e citove më parë Zegjinenë, që u zu me atë influenceren. E nise bisedën mbi një zënkë të një përfaqësueseje kolegeje tuajën.
Gjuzi: Kjo është e turpshme. Partia Socialiste ka 43 deputetë të rinj. Të gjithë këta i kanë targetuar. Pra këta të rinj nuk bëjnë, këta s'bëjnë, këta s'dinë.
Çepani: Absolutisht jam shumë dakord që dhuna nuk është kosto e të bërit politik, sidomos ndaj vajzave dhe grave, por duhet të jetë reciproke. Pra as politikanët nuk duhet të bullizojnë qytetarët, as qytetarët nuk duhet të bullizojnë politikanët dhe as me njëri-tjetrin. Mënyra se si është bërë Parlamenti është një turp i madh. Është një turp i madh mënyra se si trajtohen brenda Parlamentit dhe unë realisht jam... Ne kemi reaguar disa herë për mënyrën si trajtohen vajzat dhe gratë brenda Parlamentit, por edhe të tjerët. Pra kjo lloj gjuhe që transmetohet dhe ky lloj bullizimi që pastaj shkon edhe tek qytetarët nuk është një gjë e mirë. Pra është një gjë reciproke.
Përfaqësuesit e qytetarëve duhet t'i respektojnë. Është ajo që thamë në fillim. Duhet t'i respektojnë sepse janë njerëz të zgjedhur, të cilët duhet të përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Jo të merren e të tallen me qytetarët. “Ju jeni kështu, ju s'merrni vesh, ju jeni injorantë, ju jeni të shitur” e të tjera.
Nga ana tjetër, po thosha pak më përpara, le t'i marrim me radhë. A është shëndetësia më mirë kur ne nuk kemi ilaçet e onkologjikut dhe janë bërë kaq vite që po e ngremë si çështje dhe prapë nuk po gjenden këto ilaçe për njerëzit me kancer? Nga ana tjetër kemi mjedisin më të ndotur, shtatë herë më të ndotur sesa maksimalja evropiane dhe kjo është një problematikë e cila nuk po zgjidhet.
Nga ana tjetër kemi një turizëm për të cilin flasim shumë dhe ne kemi një problematikë. Ne njerëzit që jemi në terren kemi një problematikë që herë pas here e gjejmë te këto investimet, te trau që vihet aty te plazhi publik dhe njerëzit nuk hyjnë dot, nuk aksesojnë dot zonat e tyre. Sepse ca gjëra duhen bërë për zhvillimin, por ama t'u mbeten ca gjëra qytetarëve, se s'po arrijmë dot të gëzojmë asnjë gjë nga ky vend në të cilin ne paguajmë taksa, paguajmë kontribute, paguajmë sigurime shoqërore, paguajmë sigurime shëndetësore dhe në fund të ditës nuk marrim dot asnjë shërbim.
Dhe nga ana tjetër edhe proceset e konsultimit, të cilat duhet të jenë baza dhe janë me ligj për qytetarët dhe komunitetet. Të gjitha këto projekte të mëdha që ne shohim, që dëgjojmë e të tjera, vjen procesi i konsultimit nga media, i bërë vetëm nga kryeministri, ndërkohë që duhej bërë me institucionet përkatëse, duke respektuar qytetarët, komunitetet dhe pronarët para se të detyrohemi ne të dalim në protestë.
Sepse është bërë e lodhshme që për çdo gjë duhet të dalim ne në protestë, të ngremë zërin, të bëjmë gjithë këto gjëra, të lëmë gjithë punët që kemi, të lëmë kalamajtë, në mënyrë që institucionet të bëjnë punën për të cilën ne i paguajmë me taksat tona.
Pra kjo është problematika. Problematika është që secili në këtë vend duhet të bëjë punën e vet. Puna e qytetarit është të paguajë taksat, të punojë, të mirëmbajë pjesën e vet. Puna e politikës është t'u kthejë përgjigje qytetarëve me seriozitet dhe të bëjë detyrën për të cilën është zgjedhur. Parlamenti sot është zgjedhur për të bërë ligje. Këto ligje, të cilat qytetarët po i diskutojnë dhe me të cilat nuk janë dakord, i keni nisur t'i rishikoni apo t'i anuloni? Këto janë gjërat që duhet të flasim konkretisht. Një, dy, tre: çfarë po bëhet dhe çfarë mund të bëjmë të gjithë bashkë?
Gjuzi: Patjetër. Unë bie dakord dhe në çdo moment kur parashtrohen problematika, të cilat siç e thatë edhe ju, ne jemi këtu për të marrë pjesën tonë të përgjegjësisë për t'i zgjidhur. Që ka ende probleme në sektorë të caktuar, patjetër që ka. Por që sot sistemi shëndetësor është shumë më mirë se ç'ishte, këtë besoj se është një e vërtetë. (A2 Televizion)