
“Shqipërisë i nevojitet një qeveri kujdestare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të barabarta”. Këtë kërkoi deputetja e PD-së, njëkohësisht edhe zv.Presidente e EPP Ëomen, në ditën e dytë të takimit të Partisë Popullore Europiane (EPP) në Sarajevë, kushtuar të ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë.
Teksa paraqiti shqetësimet e opozitës lidhur me demokracinë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri, Vokshi, tha se kjo është domosdoshmëri, pasi gjithçka fillon nga zgjedhjet.
Ajo vlerësoi se kërkesa për zgjedhje të lira, transparencë dhe llogaridhënie tashmë shkon përtej opozitës politike dhe përfaqëson një aspiratë të gjerë të shoqërisë shqiptare, veçanërisht të brezit të ri, i cili është ngritur në protesta masive për një demokraci funksionale dhe një të ardhme europiane.
Sipas njoftimit të PD-së, Vokshi ngriti gjithashtu shqetësimin për dobësimin e standardeve demokratike, korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes dhe mungesën e kontrollit dhe balancës së pushteteve.
Në të njëjtën kohë, Vokshi rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian, gjë e reflektuar edhe në kontributin e saj për miratimin e rezolutës parlamentare për procesin e integrimit europian.
Vokshi mbështeti propozimin e kryeministrit kroat Andrej Plenković që, ndërsa zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, ai duhet të mbështetet edhe në një kalendar të qartë me afate të mirëpërcaktuara.
Megjithatë, në emër të opozitës shqiptare, ajo theksoi se asnjë proces integrimi nuk mund të konsiderohet i plotë dhe i besueshëm për sa kohë që vende si Shqipëria nuk garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ajo u bëri thirrje partive simotra europiane të rrisin presionin dhe të mbajnë qëndrime më të qarta ndaj cenimit të standardeve demokratike, minimit të shtetit ligjor, korrupsionit qeveritar dhe partneritetit mes qeverisë dhe krimit të organizuar në Shqipëri. (A2 Televizion)