
Ditën e nesërme në orën 10:00, kreu i PD Sali Berisha do të duhet të paraqitet në SPAK pasi ka një fletëthirrje nga Prokuroria e Posaçme në ngarkim të tij për çështjen e “21 Janarit”.
Por, sipas kreut të selisë blu ai nuk do të shkojë në SPAK të premten pasi pretendon se nuk ka marrë thirrje për diçka të tillë.
"Mund të ju pohoj atë që kam thënë; i jam përgjigjur gjithë jetën time, çdo thirrje organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjem. Do ti përgjigjem nuk ka koment. Nuk mund të ketë pyetje a do i përgjigjem. Por ka vetëm një kusht: që unë të marr thirrjen. Dhe ata që përdorin këtë për propagandë, tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bande e cila vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë. Pra, edhe njëherë, se ti je gazetar; vendimi, njoftimi duhet të vijë siç kanë ardhur me dhjetëra njoftim të tjera dhe unë i jam përgjigjur çdo njoftimi që ka ardhur. Kurse përdorimi i kësaj është akt i shëmtuar i Altin Troplinit, një shërbëtor, një mercenar i regjimit të Edi Ramës, që kujton se mund të mbulojë sado pak me zhurma të tilla, krimet e shëmtuara të Ramës. Ndaj dhe njëherë ju them, asnjëherë mos më pyesni mua a do shkosh. Unë do të shkoj në çdo rast që do thirrem, për çdo problem nga organet e drejtësisë. E kam ligj, e kam aplikuar, zbatuar këtë gjithë jetën time. Nuk mund të ketë hezitim dhe mëdyshje", tha Berisha.
Kreu i PD shtoi në një deklaratë për mediat se ai nuk i shmanget drejtësisë, por sa i përket “21 Janarit”, kjo dosje sipas tij kërkon një hetim të gjerë që pretendon se po pengohet nga qeveria aktuale.
“Por meqë jemi këtu, çështja e 21 Janarit është hetuar njëherë nga një armike e egër e Sali Berishës dhe PD-së, një njeri për të cilin unë kam shprehur publikisht të gjithë konsideratat. Çështja e 21 janarit nga viti 2013, që ne kemi humbur pushtetin dhe gjer sot, është penguar të hetohet mendoj unë, të rihetohet se mundet, e nuk jam kundër, është penguar vetëm e vetëm për shkak të Edi Ramës, sepse deklaratat e qeverisë së SHBA-së dhe BE-së janë shumë të qarta dhe kërkojnë hetimin nga polici tek organizatori kryesor. Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që prej rreth 13 vitesh kjo çështje përdoret për propagandë. Por shoferi që i përdori mish për top njerëzit, siç e ka thënë, shkrimtari që sot merret me problemet teologjike ishte Edi Rama”, deklaroi Berisha. (A2 Televizion)
