Samiti i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri; mbrojtja, industria dhe emigracioni në qendër të bisedimeve

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2025, 07:41 | Politikë

Samiti i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri; mbrojtja,

Italia dhe Shqipëria zhvillojnë sot në Romë Samitin e parë ndërqeveritar, një ngjarje historike që shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Takimi do të mbahet në Villa Pamphili, duke nisur në orën 11:30, dhe do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky është samiti i parë i këtij niveli midis qeverive të dy vendeve, që synon forcimin e partneritetit strategjik mes Romës dhe Tiranës, me fokus në tre fusha kryesore: mbrojtjen, industrinë dhe emigracionin.

Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë italiane, takimi pritet të sjellë rezultate konkrete në bashkëpunimin ekonomik, energjetik dhe të sigurisë, duke i dhënë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe që prej nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë më 1995 dhe Deklaratës së Partneritetit Strategjik më 2010.

Samiti pritet të mbyllet me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh dypalëshe, që do të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtjen civile, sigurinë, ekonominë, energjinë, mjedisin dhe arsimin profesional.

Të dy qeveritë do të konfirmojnë gjithashtu angazhimin e Italisë për të mbështetur fuqishëm procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e parë Tiranën si një aleat të qëndrueshëm në stabilitetin e Ballkanit dhe të Mesdheut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos