Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se qëllimi i arrestimit të tij ka qenë që ta pengojnë atë dhe subjektin politik që ai drejton, për të garuar të lirë në zgjedhjet e 11 majit.
Komentet Meta i bëri përmes një letre për emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se megjithëse është në burg, është më i motivuar se kurrë për të luftuar me vendosmëri për t’u rikthyer dinjitetin shqiptarëve.
Ish-Presidenti shtoi po ashtu se fushatën e Partisë së Lirisë e drejton vetë ai, sëbashku me kolegët e tjerë dhe forumet e këtij subjekti politik.
“Sa do t’iu pengojë të qënit në arrest për fushatën e 11 majit? Kush do ta drejtojë fushatën e PL?”, ishte pyetja drejtuar Metës.
“Është afërmendsh që arrestimi u bë për nevojë elektorale të organizatës kriminale për të më penguar mua si President i PL dhe vetë PL si forcë opozitare.
Por kjo situatë është vetëm motivuese për mua dhe PL për të luftuar me vendosmëri për t’iu rikthyer lirinë dhe dinjitetin të gjithë shqipatëve që vetëm fizikisht nuk janë në burg dhe që vetëm të lirë nuk ndihen në vendin e tyre, në punën e tyre, në biznesin e tyre dhe jetën e tyre.
11 Maji është një datë historike që i thërret të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë të bashkojnë të gjitha përpjekjet në mënyrë që fëmijët e tyre të mos mbeten pa Atdhe apo që të mos ndihen të huaj e të shtypur në tokën e të parëve të tyre. Partinë e Lirisë dhe fushatën e saj e drejtoj unë si President i zgjedhur i saj në Prillin e kaluar në bashkëpunim me të gjithë kolegët dhe forumet e saj. Po kështu programi ynë është është bërë publik që në 27 Prill 2024.
Gjithashtu kriteret për kandidatët për deputetë janë miratuar në mënyrën më transparente nga Komiteti Drejtues Kombëtar dhe secili do vlerësohet sipas performancës në këtë betejë vendimtare me Narkoregjimin”, shkruan Meta, raporton A2 CNN.
Meta deklaroi gjithashtu se PL do të punojë për fitoren e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 11 majit dhe shtoi se edhe vetë subjekti politik që ai drejton, do të ketë një përfaqësim dinjitoz në Kuvend.
“A keni një numur deputetësh që e prisni pas këtyre zgjedhjeve?”, u pyet Meta.
“Objektivi kryesor është fitorja e Opozitës dhe padyshim që përfaqësimi i PL- së do të jetë shumë dinjitoz”, tha më tej Meta.
(A2 Televizion)