Debati për votën e diasporës zbriti edhe në sallën e seancave plenare. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor që ishin dakordësuar më herët, për të lehtësuar votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë, ende nuk kanë nisur të diskutohen në komisione, por palët u ndanë mbi të drejtën e votimit pa dokument identifikimi të lëshuar nga shteti shqiptar, vendosur si kusht nga opozita.
“Shqiptar i bën shtetësia, pavarësisht nga dokumenti që kanë marrë në vendin që jetojnë”, tha Berisha.
“Nuk e bën asnjë vend. Nuk bëhet dot. Është e paligjshme, minimalisht po u gënjen që t’u shkojë votën dëm”, reagoi Balla.
Teksa pohoi se kjo kërkesë e opozitarëve nuk do pranohet, Balla kërkoi votat për ndryshimet e propozuara nga socialistët, ku tha se mes tyre janë dhe kërkesa të adresuara nga Partia Demokratike, shkruan A2 CNN.
“E ka detyrim ky parlament ta miratojë gatishmërinë e q everisë në mënyrë që postën edhe në kthim ta miratojmë ne, hajde jepni votën aty dhe mos kushtëzoni me asgjë. Frika ju ka karaktezuar gjithmonë, keni frikë se do ju vjedh Celibashi votat, bujrum ti numërojmë votat në prani të përfaqësuesve partiak”, tha Balla.
Në të njëjtën mënyrë iu përgjigj Sali Berisha: “Nëse nuk keni frikë dhe tmerr nga vota e shqiptarëve, të votojnë shqiptarët me çdo dokument biometrik që disponojnë. BE ka letër njoftim të përbashkët dhe një dokumentet tona, ju nuk njihni dokumentin e BE, e kuptoni në çfarë primitivizmi zbrisni apo jo?”
Ndryshe nga ultimatumi i Ballës për të mos bërë asnjë lëshim në negociata, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi, pohoi se mund të ketë ende shtigje për të arritur marrëveshje. Ndërsa Bylykbashi u lexoi kushtetutën socialistëve.
“Nuk duhet ta vrasim që pa lindur një marrëveshje e re, në këndvështrimin tonë pozitiv. Ti votojmë ato ndryshime, është thënë këtu është i papranueshëm, jo se jemi kundër votës së diasporës”, tha Niko Peleshi.
“Neni 19, pika 1 i Kushteturës parashikon. Kushdo që lind duke patur edhe një prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton shtetësinë shqiptare. Ne e kemi të drejtën e shtetësisë nga gjaku”, u shpreh Oerd Bylykbashi.
Palët kanë kohë deri në 13 shkurt për të gjetur dakordësi, kohë kur projektligji pritet të kalojë në seancë plenare për miratim. (A2 Televizion)