Ankesë Gjykatës Kushtetuese, Begaj: Hapni vakancë për Bejtjen, shprehuni dhe për Toskën

Nga A2 CNN
30 Janar 2025, 19:21 | Politikë

Vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e kryetares së kësaj trupe, Holta Zaçaj, duket se ka zhgënjyer Presidentin e Republikës, i cili priste të gjente qartësim edhe për mandatet e dy anëtarëve të tjerë.

Në këto kushte, Bajram Begaj i kërkon Gjykatës Kushtetuese të hapë vakancën edhe për mandatin e Sonila Bejtjes, si dhe të shprehet mbi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për Elsa Toskën. 

Presidenti Bajram Begaj kritikoi publikisht Gjykatën Kushtetuese dhe shkak për këtë, ishte procedura e nisur për ripërtëritjen e saj me tre anëtarë.

Sipas kreut të shtetit, i cili është një nga tre organet e emërtesës të trupës kushtetuese, Gjykata duhej të kishte shpallur vakancën për mandatin e anëtares Sonila Bejtja, mandat të cilin e plotëson Presidenti i Republikës. 

Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025. Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim.

Këtë kritikë Bajram Begaj e argumenton me faktin se në fund të muajt dhjetor, trupa kushtetuese mori një vendim për mbarimin e mandatit të Holta Zaçajt, por nuk kishte thënë asnjë fjalë për mandatin e Sonila Bejtjës.

Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit për gjyqtaren Zaçaj, por nuk ka vepruar për të deklaruar mbarimin e dy mandateve të tjera që përfshihen në përtëritjen e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016. Nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025.

Përtëritja e Gjykatës duhet të bëhet me tre anëtarë, nga një për secilin organ emërtese mes Gjykatës së Lartë, Presidentit dhe Kuvendit. E pikërisht mandati i Kuvendit është ai që ka krijuar ngërçin më të madh kushtetues në zëvendësimet e anëtarëve të trupës. Kjo pasi në 2025 duhet të përfundonte mandati i Elsa  Toskës. Kjo e fundit dha dorëheqjen në vjeshtën e 2024 dhe Kuvendi hapi procedurën jo për mandat të plotë, por për një mandat plotësues të Toskës, gjë e cila praktikisht hedh poshtë formulën e ripërtëritjes. 

Kjo situatë faktike e bënte të domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të shprehej qartësisht edhe për mandatin tjetër, i cili është emërtesë e Kuvendit, sepse procedimi i mëtejshëm i Kuvendit me procedurën e çelur për mandat plotësues, gjithashtu, i humb kuptimin detyrimit për përtëritjen e pjesshme që ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj.

Në shkresën e tij, Begajt i rikujton Gjykatës Kushtetuese që nuk mund ta anashkalojë shqetësimin e tij, pasi Presidenti i Republikës është një nga autoritetet që gëzon të drejtën për të vënë në lëvizje trupën e gjyqtarëve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos